Militantët në Rripin e Gazës kanë hedhur të paktën 60 raketa drejt Izraelit si kundërpërgjigje për sulmet ajrore të së martës, kur u vranë tre komandantë të lartë të Xhihadit Islamit dhe të paktën dhjetë civilë.
Disa valë raketash për më pak se një orë i aktivizuan sirenat e alarmit për sulme ajrore në qytete dhe qyteza në pjesën jugore të Izraelit të mërkurën pasdite, përfshirë qendrën tregtare të vendit, Tel Aviv. Sistemi i fuqishëm izraelit për mbrojtje ajrore, “Kupa e Hekurt”, pengoi disa raketa dhe nuk pati raportime të menjëhershme për dëme ose pasoja në njerëz, raporton gazeta “The Guardian”.
Izraelitët që jetojnë në pjesën jugore të vendit si dhe 2,3 milionë palestinezët e izoluar në Rripin e Gazës janë përgatitur për eskalimin e dhunës nga sulmet izraelite të martën herët, cak i të cilave ishin disa udhëheqës të Xhihadit Islamik.
Të martën, para bombardimeve fillestare të Izraelit, rreth 6 mijë e 500 izraelitë u evakuuan nga Ministria e Mbrojtjes nga shtëpitë e tyre afër periferisë së Gazës, ndërsa shkollat dhe disa rrugë u mbyllën, duke e pritur kundërpërgjigjen e grupeve militante të Gazës.
Në një deklaratë të përbashkët të grupeve palestineze, ku merret përgjegjësia për hedhjen e raketave nga Gaza, e përshkruan këtë veprim si “përgjigje e gjerë”, por zyrtarët izraelitë duket se po shpresojnë që Hamasi nuk dëshiron që të rrezikojë për t’u kthyer në konflikt të plotë.
“Veprimet tona kanë për qëllim që ta parandalojnë eskalimin e mëtejmë. Izraeli nuk është i interesuar për luftë”– tha zëdhënësi kryesor i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.
Tensionet izraelito-palestineze u rritën gjatë muajve të fundit. Mbi 100 palestinezë dhe të paktën 19 izraelitë dhe të huaj janë vrarë deri më tani më 2023 në Izrael, Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, duke shkaktuar shqetësim se një konflikt i plotë mund të jetë në horizont.
