Ju njoftojmë se Ministria e Transportit ka nisur procedurat për përgatitjen dhe lidhjen e Marrëveshjes për Transport Ajror me Mbretërinë e Arabisë Saudite, theksohet në komunikatë të cilën MIA e transmeton në formë integrale.
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është krijimi i kornizës juridike që do të mundësojë hapjen e linjave të rregullta ajrore ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite. Deri më tani, ndërmjet dy vendeve nuk ka ekzistuar komunikim i drejtpërdrejtë ajror.
Dy shtetet tona gëzojnë marrëdhënie miqësore dhe një vullnet të përbashkët për thellimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, rritjen e investimeve dhe zhvillimin e bashkëpunimit në fusha të tjera me interes të ndërsjellë.
Vendosja e fluturimeve të rregullta pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e turizmit, lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe biznesit, zgjerimin e shkëmbimeve tregtare si dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve.
Ministria e Transportit në periudhën në vijim do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për fillimin e procedurave zyrtare për rregullimin e transportit ajror, në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe standardet ndërkombëtare të aviacionit civil.
