Nga 50 kontrolle të kryera nga Inspektorati Shtetëror i Tregut në të gjithë vendin, vetëm 22 diskoteka dhe kabare kishin licencë të vlefshme, 15 kishin licencë të skaduar, ndërsa për disa objekte nuk ka fare të dhëna, tregon raporti i Inspektoriatit Shtetëror të Tregut nga kontrollet e dy ditëve të fundit. Të 22 objektet me licencë të vlefshme sot janë duke u inspektuar për të parë nëse i plotësojnë kushtet minimale teknike për funksionim, ka bërë të ditur zëdhënësja e qeverisë Marija Miteva. Ata që nuk kanë licenca ose të cilëve u ka skaduar vlefshmëria u ndalohet të bëjnë biznes derisa të kontrollohen të gjitha dokumentet e nevojshme dhe nëse mund të vazhdojnë punën dhe të sigurojnë një licencë shtesë.
Ministria e Ekonomisë, ndërkaq, po kontrollon nëse ka ndonjë rast tjetër të keqpërdorimit të numrit të arkivit apo lëshime të tjera në mesin e licencave të lëshuara, tha Miteva.
Diskoteka “Pulse” e djegur në Koçan funksiononte që nga viti 2014, ndërsa për herë të parë është lëshuar licenca në vitin 2021. Dy vjet më vonë, në vitin 2023, u dha një licencë e dytë dhe ajo e vitit 2024 u falsifikua.
Sipas regjistrit nga Ministria e Ekonomisë, që nga viti 2017 janë dhënë gjithsej 215 licenca për diskoteka, klube nate dhe kabare. Në vitin 2024 kishte 21 objekte të licencuara, por “Pulse” nuk ishte në mesin e tyre. Aktualisht, 22 objekte kanë licencë aktive operimi. Prej tyre 6 janë diskoteka dhe të tjerat janë kabare.