Sot në kuadër të Kupës së Maqedonisë së Veriut në futboll, në program ishin ndeshjet çerekfinale, ku padyshim që më interesant pritej të jetë në stadiumin e Çairit në Shkup, e ku takoheshin aktualisht dy ekipe shqiptare dhe ndër më të mirat në vend.
Ky duel duhej të ishte festë futbolli si për publikun, por njëkohësisht edhe për futbollistët për të treguar kualitetin dhe forcën momentale.
Edhe pse ishte e mërkurë dhe ditë punë, tribunat ishin të mbushura me tifozë dhe paralajmërohej një atmosferë e mrekullueshme, por në fakt nuk ndodhi ashtu.
Pas vetëm pak minutash lojë, ndeshja u ndërpre. Në minutën e 9-të nga një aksion i shpejtë i Shkëndijës, Dashmir Elezi shënoi gol që më pas e festoi atë duke provokuar tifozët vendas, dhe pikërisht në këtë moment ndodhi kaos në stadiumin e Çairit. Disa tifozë u futën në fushë, ku edhe kishte skena të padëshiruara, u sulmuan edhe disa prej futbollistëve mysafir. Me shpejtësi reagoi edhe policia me njësitet speciale, ndërsa pas disa minutave qëndrimi në fushë, futbollistët e Shkëndijës u futën në dhomat e zhveshjesh së bashku me katërshen e arbitrave.
Për shkak të incidentit të madh që ndodhi, për këtë ndeshje do të vendosin patjetër komisionet e Federatës së Futbollit të Maqedonisë. Megjithatë, është e qartë se ndeshja nuk do të riluhet as në një afat tjetër. Shkupin e pret ndoshta edhe suspendim eventual nga gara e Kupës, ndërsa Shkëndija ka gjasa që të vazhdojë garat në gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë.