Prej ditës së sotme në Zvicër ndalohet mbulimi i fytyrës në hapësirat publike, që në opinion është quajtur si “ndalimi i burkës”. Ata që shkelin këtë rregull do të denohen me një gjobë deri në 1.000 franga zvicerane (që është 1.063 euro sipas kursit të sotëm).
Vendimi është marrë në votim në referendumin e vitit 2021, kur 51.2% ishin për ndalimin e mbulimit të fytyrës.
Propozimi për të ndaluar mbulimin e fytyrës u soll nga Partia Popullore Zvicerane (SVP) e krahut të djathtë. Qeveria zvicerane, megjithatë, e kundërshtoi atë duke argumentuar se nuk i takon shtetit të diktojë se çfarë të veshin gratë, por shumica ishih kundër mbulimit të fytyrës. Sipas disa hulumtimeve, shumë pak gra në Zvicër veshin vërtet burka, ndërsa më shumë mbajnë nikab. Rreth 5% e popullsisë së Zvicrës prej 8.6 milionë banorësh janë myslimanë, shumica me origjinë nga Turqia, Bosnja dhe Kosova.
Komuniteti mysliman dhe organizatat e të drejtave të njeriut si Amnesty International kritikuan miratimin e ndalimit.