Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka lënë të hapur mundësinë për sulme të tjera ndaj udhëheqësve të Hamasit, duke theksuar se ata nuk do të kenë imunitet, pavarësisht vendndodhjes së tyre.
Kjo deklaratë erdhi pas sulmit të javës së kaluar në Katar, ku Izraeli synoi udhëheqës të lartë të Hamasit, duke shkaktuar kritika ndërkombëtare dhe zemërim nga disa shtete, përfshirë SHBA-në.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, në Jerusalem, Netanyahu e mbrojti veprimin, duke thënë se çdo vend ka të drejtën të mbrohet “përtej kufijve të tij”.
Ai theksoi gjithashtu se Izraeli veproi në mënyrë të pavarur në këtë sulm, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve nëse SHBA kishte pasur ndonjë rol. “E bëmë vetë. Pikë,” u shpreh Netanyahu.
Sulmi në Katar ka shkaktuar shqetësime të mëdha, pasi Katari është një aleat i ngushtë i SHBA-së, duke strehuar një bazë ajrore të madhe amerikane dhe luajtur një rol kyç në ndërmjetësimin e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
Katari gjithashtu ka shërbyer si ndërmjetës i negociatave indirekte midis Hamasit dhe Izraelit.
HamasI ka deklaruar se gjashtë persona u vranë në sulm, por udhëheqësit e tij arritën të mbijetojnë. Pas sulmit, liderët arabë mbajtën një samit, duke shfaqur mbështetje për Katarin, ndërsa kërkuan që bashkësia ndërkombëtare të ndalojë “standartet e dyfishta” dhe të ndëshkojë Izraelin për këtë veprim.
Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve rreth ndikimit të sulmit në marrëdhëniet e SHBA-së me aleatët e saj në rajon, Marco Rubio theksoi se Uashingtoni vazhdon të mbajë marrëdhënie të forta me shtetet e Gjirit dhe se mbështetja për Katari nuk është e shqetësuar nga ky incident.
Në këtë kontekst, Netanyahu paralajmëroi se Izraeli do të vazhdojë të mbrojë interesat e tij dhe të synojë udhëheqësit e Hamasit, pa përjashtuar mundësinë e sulmeve të tjera në të ardhmen, duke i dhënë një mesazh të qartë se Izraeli nuk do të hezitojë të veprojë për mbrojtjen e vet.
Burimi / Panorama.al
