Drejtori i Agjencisë për Pronësi Industriale, Eljesa Neziri, ka reaguar ndaj gjendjes aktuale në ndërmarrjet publike Higjiena Komunale dhe Parqe dhe Gjelbërime, duke e cilësuar situatën si katastrofike dhe me trajtime të padrejta ndaj punëtorëve, informon POPULLI.mk
“Gjendja momentale në Higjienën Komunale dhe Parqe dhe Gjelbërime është katastrofike. Për çdo ditë, punëtorët më ndalin në rrugë, më shkruajnë e më tregojnë për trysni dhe frikësime që përjetojnë në vendin e punës,” deklaroi Neziri.
Ajo shtoi se sipas informacioneve që merr nga vetë punëtorët, në këto ndërmarrje po ndodhin ndëshkime për arsye politike.
“Dëgjoj gjithnjë e më shumë raste ku njerëzit ndëshkohen vetëm pse nuk i përkasin partisë që drejtuesit aktual i takojnë. Kjo është e papranueshme!” theksoi ai.
Neziri u bëri thirrje punëtorëve që të kenë durim, duke theksuar se ndryshimi është afër dhe shumë shpejt “do të vijë dita kur njeriu do të vlerësohet për punën e tij, e jo për ngjyrën e kartës partiake”.
Në fund, Neziri përcolli një mesazh shprese e bashkimi:
“Ditë më të mira po vijnë! Do të punojmë bashkë, për të mirën e të gjithëve, pa dallim bindjeve politike. Punëtori duhet të vlerësohet, jo të ndëshkohet!”
