30.8 C
Skopje
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

Nxehtësia ekstreme përfshin pjesë të Evropës

Nxehtësia ekstreme po thyen rekordet e temperatuave në mbarë Evropën, sipas matjeve të hershme, dhe po shkakton zjarre më të mëdha e më të forta në natyrë, shkruan The Guardian.

Në jug-perëndim të Francës, rekordet u thyen të hënën në Angouleme, Bergerac, Bordeaux, Saint-Emilion dhe Saint-Girons.

Në Kroaci, rekorde të temperaturës së ajrit u vendosën në Sibenik, me 39.5 gradë Celcius, dhe Dubrovnik, me 38.9 gradë Celcius, ndërsa zjarre të mëdha pyjore përfshinë brigjet e saj dhe u përhapën në vendet fqinje në Ballkan.

Përtej Evropës, dhjetëra rekorde të temperaturës u thyen në të gjithë Kanadanë, dhe nxehtësia rekord mbi 50 gradë Celcius në Irak u bë shkak për një ndërprerje të energjisë elektrike në të gjithë vendin.

Valët e të nxehtit në Evropën jugore vijnë ndërkohë që vendet nordike po rikuperohen nga temperatura të paprecedenta mbi 30 gradë Celcius në Rrethin Arktik këtë muaj.

Në Itali, ku 16 nga 27 qytete të mëdha u vendosën nën alarm të kuq për të nxehtin dhe një djalë katërvjeçar vdiq nga goditja e të nxehtit, dhe në Spanjë, ku një burrë vdiq në një zjarr pyjor pasi pësoi djegie në 98 për qind të trupit, nxehtësia e lartë nuk theu një numër të madh rekordesh, por gjithsesi ngriti alarmin.

Në jug-perëndim të Francës, 40 për qind e një kampioni të stacioneve meteorologjike regjistruan temperatura mbi 40 gradë Celcius të hënën.

Moti i nxehtë në mbarë Evropën ka tharë vegjetacionin dhe ka lejuar përhapjen e mëtejshme të zjarreve, në atë që shkencëtarët e kanë përshkruar si një “koktej molotov” të kushteve klimatike. Shkencëtarët e zjarreve të BE-së parashikuan “kushte ekstreme deri shumë ekstreme” në të gjithë kontinentin këtë javë, me rreziqe “veçanërisht të rënda” në pjesën më të madhe të Evropës jugore dhe anomali të larta të pritshme në disa pjesë të vendeve nordike.

Zjarret në Evropë kanë djegur mbi 400.000 hektarë deri tani këtë vit, sipas të dhënave të publikuara të martën, që është 87 për qind më shumë se mesatarja për këtë periudhë të vitit gjatë dy dekadave të fundit.

Nxehtësia e lartë vret dhjetëra mijëra njerëz çdo vit në Evropë. Studiuesit vlerësojnë se temperaturat e rrezikshme në Evropë do të shkaktojnë 8.000 deri në 80.000 vdekje shtesë në vit deri në fund të shekullit, pasi jetët e humbura nga nxehtësia më e fortë do të tejkalojnë ato të shpëtuara nga dimrat më të butë.

Javën e kaluar, Organizata Botërore Meteorologjike tha se zjarret dhe cilësia e dobët e ajrit po shtonin efektet negative shëndetësore të të nxehtit ekstrem. Ajo vuri në dukje se temperaturat gjatë javës së parë të gushtit arritën mbi 42 gradë Celcius në disa pjesë të Azisë Perëndimore, Azisë Qendrore Jugore, shumicën e Afrikës së Veriut, Pakistanin Jugor dhe jug-perëndimin e SHBA-së, me zona lokale që e kaluan edhe 45 gradë Celcius.

Të ngjajshme

Të fundit