Kryeministri hungarez Viktor Orban i kërkoi BE-së të nisë negociatat me Rusinë për luftën në Ukrainë, duke kërcënuar se do të bllokojë samitin për Ukrainën të enjten, më 6 mars, në një letër dërguar sot presidentit të Këshillit Evropian Antonio Costa. Agence France-Presse ka marrë dijeni për këtë letër dhe ka verifikuar vërtetësinë e saj duke folur me diplomatë evropianë.
“Jam i bindur se BE-ja, ashtu si SHBA-ja, duhet të fillojë bisedimet e drejtpërdrejta me Rusinë për një armëpushim dhe paqe të qëndrueshme në Ukrainë”, shkroi Orbán në letrën e tij.
Krerët e shteteve dhe qeverive të 27 vendeve anëtare të BE-së do të takohen të enjten në Bruksel për të diskutuar forcimin e mbrojtjes evropiane dhe për të arritur një marrëveshje për një paketë të re ndihme ushtarake për Kievin.
Pas konfrontimit kokë më kokë midis Presidentit të SHBA Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas në Uashington të premten, Volodymyr Zelenskit i kërkohet të negociojë “garancitë e sigurisë”.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së Kaia Kalas ka sugjeruar që 27 vendet të angazhohen për dërgesat e reja të armëve në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur, duke përfshirë raketa, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe predha artilerie.