Kandidati i AKI-së për komunën e Çairit, Bujar Osmani ka dhënë një intervistë për portalin “Nezavisen” ku ka folur edhe se si do të përballet me ndërtimet pa leje në këtë komunë në rast se zgjidhet kryetar, transmeton POPULLI.mk
Si do të përballeni me ndërtimet pa leje në Çair?
Nëse është e vërtetë ajo që tha Danela Arsovska, Çairi është komuna me numrin më të madh të ndërtimeve pa leje? Po, përmenden 150 ndërtime pa leje dhe kjo është një numër i madh.
Së pari, përgjegjësia penale do t’i takojë institucioneve dhe për këtë, mendoj se nuk duhet të ketë asnjë tolerancë. Sepse kjo është dëm më i madh që mund t’u bëhet qytetarëve tuaj.
Por çfarë bëjmë me njerëzit që kanë kursyer gjithë jetën për të blerë një banesë dhe janë manipuluar të blejnë në ndërtesa pa leje, ku, sipas asaj që dëgjuam, nuk respektohet statika, nuk respektohen standardet e sigurisë nga zjarri etj.? Ata kanë kursyer gjithë jetën dhe tani jetojnë me një sy hapur, që të mos u ndodhë diçka.
Vlerësimet janë se nëse në Çair ndodh diçka e ngjashme me atë në Koçan ose një tërmet më i vogël, viktimat do të jenë të panumërta, sepse nuk është respektuar asnjë standard.
Prandaj, edhe pse dikush mund të thotë se nuk është parimor, nuk mendoj se këta qytetarë duhet të jenë viktimë. Mendoj se duhet menjëherë të bëjmë një ekspertizë për të parë nëse ato ndërtesa janë të sigurta, si është statika e tyre, dhe nëse mund të përmirësohen.
Për ata që nuk mund të jenë të sigurta, duhet t’u tregojmë qytetarëve se rrezikojnë jetën e tyre dhe duhet të gjejmë një zgjidhje.
Ata që mund të jenë të sigurta, mendoj se nuk duhet të rrënohen. Por ata që janë në fazë ndërtimi dhe janë pa leje, që nuk janë përfunduar dhe të banuara, ose janë ndërtesa të reja pa dokumente, tek unë nuk kalojnë, dhe të gjithë e dinë këtë.
Të gjithë ata që kanë punuar me mua e dinë që unë me paratë e shtetit nuk pi as kafe, e lëre më të lejoj që dikush të ndërtojë një ndërtesë nën mbikëqyrjen time. Kudo ku ndërtohet, në tabelë do të ketë një kod “QR” dhe çdo qytetar do të mund të shohë se kush ndërton, nëse ka leje, kush e ka lëshuar dhe kur skadon. Do të kemi edhe një hartë interaktive, ku çdo qytetar do të mund të hyjë në internet dhe të gjejë të njëjtat të dhëna, në mënyrë që qytetarët të bëhen njëfarësoj “roje ndërtimore” përkrah inspektoratit.
Objektet e reja të paligjshme jashtë planit i përjashtoj si opsion, por për ato që janë të sigurta dhe që qytetarët tashmë i kanë blerë – duhet të gjejmë një zgjidhje. Nuk mund të rrënojmë ndërtesa 12-katëshe ku njerëzit tashmë jetojnë.
Gjithashtu kam premtuar se Çairi do të jetë komuna e parë ku e gjithë procedura e tenderimit do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalin e komunës. Duhet të ndryshojmë perceptimin se të gjithë politikanët janë të korruptuar dhe të gjithë janë të njëjtë. Nuk mund ta lejoj këtë. Nuk mund të lejoj që të më krahasojnë me politikanë të korruptuar, sepse gjithë jetën e kam dedikuar politikës.
Do të ftojmë gjithashtu organizata qytetare në çdo komision të tenderit, që të kenë një anëtar atje dhe të ndjekin personalisht se si zbatohen tenderët. E di që nuk ka shumë tenderë në komunë, por dua që kjo të japë shembullin se si duhet bërë, dhe ndoshta do t’u pëlqejë edhe disa ministrive. Sepse tek njerëzit ekziston perceptimi – politikan, funksion, tender dhe para. Dikush duhet ta ndalë këtë rreth vicioz.
Tenderi do të zhvillohet me transmetim të drejtpërdrejtë, le të përpiqet dikush ta keqpërdorë.




