20.8 C
Skopje
E mërkurë, 23 Shtator, 2026

Partia po humb terrenin, integristët kërkojnë Izet Mexhitin në krye të BDI-së

Brenda BDI po shtohen zërat për rikthimin e Izet Mexhitit në parti, në një kohë kur, sipas vlerësimeve që qarkullojnë brenda strukturave, fuqia e tij politike në terren po rritet.

Sipas këtyre qëndrimeve, BDI-ja po përballet me mungesë të njerëzve të duhur në terren dhe me dobësim të strukturave lokale. Për një pjesë të anëtarësisë, rikthimi i Mexhitit do të mund të forconte organizimin dhe praninë e partisë në bazë.

Në këto diskutime, kritika ka edhe ndaj Bujar Osmanit, për të cilin një pjesë e strukturave konsiderojnë se nuk është figura e duhur për të mbuluar nevojat e partisë në terren dhe për të rikthyer kontaktin me elektoratin.

Në të njëjtën kohë, brenda BDI-së vazhdon të diskutohet edhe ndikimi i zhvillimeve që lidhen me Artan Grubin. “Telashet” e tij me shtetin, kanë dëmtuar imazhin e BDI-së dhe kanë dobësuar një nga figurat më të afërta me kryetarin Ali Ahmeti.

Në këtë kontekst, një pjesë e strukturave besojnë se një BDI pa një organizim të fortë në terren dhe pa figura me ndikim te baza do ta ketë të vështirë të rikthehet në qeverisje.

Rikthimi i Izet Mexhitit, sipas këtyre zërave, shihet si një nga mundësitë për të riorganizuar strukturat dhe për të rikthyer një pjesë të fuqisë politike që BDI-ja ka pasur ndër vite. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse këto kërkesa do të shndërrohen në një nismë konkrete brenda partisë.