Ziadin Sela njoftoi se betejën për Aleancën për Shqiptarët do ta vazhdojë në Gjykatën e Apelit. Ai theksoi se ka themeluar parti rezervë, që sipas tij, do t’i lejojë të garojë në zgjedhje pa u varur nga vulat e partive të tjera, transmeton Portalb.mk.
“Nuk kam dashur të ia lë rastësisë asgjë dhe kam krijuar parti politike, në mënyrë që mos të varem kur të vijnë zgjedhjet, nga vulat e partive të tjera, por të mund të garojë i vetëm në zgjedhje. Ndërsa do të vazhdojmë betejën në Apel”, tha Sela.
Disa ditë më parë, Sela njoftoi formimin e një partie të re politike, e cila quhet Lidhja Shqiptare dhe anëtarët e së cilës, siç tha ai, kanë ideale me të cilat do të ndërtojnë një entitet të fortë politik.
Vendimi për formimin e një partie të re vjen pas vendimit të Gjykatës Themelore në Tetovë më 18 mars, me anë të të cilit vulat e Aleancës për Shqiptarët i përkasin tashmë krahut të Arben Taravarit.
Pas ndarjes me Taravarin, para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në vitin 2024, krahu i Aleancës për Shqiptarët i udhëhequr nga Zijadin Sela ishte pjesë e koalicionit “Fronti Evropian”, të udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), i cili më pas u riemërua “Aleanca Kombëtare për Integrim” (AKIA). Në dhjetor të vitit të kaluar, në një mbledhje të kryesisë së partisë, krahu i Selës vendosi të largohej nga koalicioni AKI, dhe që deputetët e saj në Kuvend të vepronin si grup i pavarur.
Javën e kaluar, siç thotë krahu i Selës, Gjykata Themelore në Tetovë mori vendim politik dhe të cilin e konsiderojnë si një atentat ndaj një partie politike shqiptare që “për vite me radhë ishte një faktor i madh në skenën politike në vend dhe një mbrojtëse e fuqishme e kauzës kombëtare shqiptare”.
