Në Kongresin e fundit të BDI-së u vërejt një ndjenjë e theksuar dëshpërimi te një pjesë e konsiderueshme e anëtarësisë, e cila kishte pritur ndryshime më të thella dhe një rifreskim real të strukturave drejtuese, shkruan POPULLI.mk
Pavarësisht pritshmërive për reforma të brendshme, në kongres u emëruan dhe u riemëruan figura të njohura, të cilat edhe më herët kishin mbajtur funksione të rëndësishme qeveritare, duke krijuar bindjen se partia po riciklon të njëjtat emra dhe qasje politike.
Mungesa e ndryshimeve substanciale brenda BDI-së u reflektua edhe në reagimet publike të disa ish-funksionarëve, të cilët shprehën hapur pakënaqësinë dhe revoltën e tyre ndaj emërimeve të bëra. Sipas tyre, procesi nuk pasqyroi frymën e reformës dhe hapjes që ishte paralajmëruar, ndërsa shumë kuadro u ndjenë të anashkaluar dhe të pavlerësuar për kontributin e tyre ndër vite.
Pas këtyre reagimeve, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, u përgjigj me tone të ashpra, duke deklaruar se “ata që largohen nga partia për shkak se nuk kanë funksione, janë të lirë të ikin”. Në qarqet politike tashmë po flitet se pakënaqësitë e krijuara mund të çojnë në largime të reja nga BDI-ja, me disa ish-funksionarë që përmenden si të gatshëm për t’iu bashkuar koalicionit VLEN, pas ndjenjës së mosvlerësimit nga kryetari Ahmeti. / © POPULLI.mk
