Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, sot nga foltorja e kuvendit në fjalimin e tij vjetor para deputetëve, i ka dërguar mesazh përbërjes së ardhshme parlamentare që menjëherë pas zgjedhjeve të fillojë procesi i vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëvem, por edhe politikanëve.
Pendarovski para deputetëve ndër të tjera foli edhe për problemin e korrupsionit me të cilin po ballafaqohet vendi, duke theksuar se po krijohet përshtypja se në përballimin e kësaj dukurie negative janë më të përfshirë faktorët e huaj sesa vetë institucionet.
“Këtu, dua t’i them Parlamentit të ardhshëm atë që kam propozuar disa herë publikisht: menjëherë pas zgjedhjeve, të bëjmë një spastrim edhe të gjyqtarëve edhe të prokurorëve, por, së pari, ndaj nesh – politikanëve. Dhe për këdo, për të cilin nuk ka asnjë shpjegim logjik se si u bë milioner me rrogë shtetërore, menjëherë duhet të vijojë jo vetëm dorëheqja, por procedim penal”, tha kreu i shtetit.
Ditë të rënda paralajmërohen për politikanët e korruptuar!
Presidenti Pendarovski theksoi se me vite, siç tha, jemi përballur me rezistencë “nga disa palë” gjatë çdo përpjekjeje për reforma thelbësore në pjesën e sistemit gjyqësor. “Shkaku për këtë është lidhja midis pjesëve të bashkësisë politike dhe afariste me një pjesë të gjykatësve dhe prokurorëve, që në dekadat e kaluara krijoi atmosferë ku zhvilluam korrupsion endemik i cili e rrezikon vitalitetin e shtetit. Në afat të mesëm dhe të gjatë, është kyçe cilësia e potencialit njerëzor, e kandidatëve për gjykatës dhe për prokurorë. Asnjë ligj nuk mund ta ndryshojë realitetin nëse kriter i vetëm gjatë përzgjedhjes është përzgjedhja negative e bazuar në klientelizmin partiak dhe lidhjet me oligarkinë. Me përgjegjësi për veprat e kryera nuk mendoj për statistikën për “xhepaxhinjtë” e dënuar që shërben për të mashtruar publikun, por për numrin dhe cilësinë e aktvendimeve të plotfuqishme nga sfera e korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar. Vetëm në këtë mënyrë do të konfirmohet se ligjet vlejnë për të gjithë, madje edhe për më të fuqishmit dhe më të pasurit”, tha ai.
Duke folur për atë se për fat të keq krijohet përshtypja se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian janë luftëtarë më të vendosur kundër korrupsionit te ne sesa institucionet tona, theksoi se sanksionet e huaja nuk mjaftojnë, jo vetëm se nuk ndiqen me sanksione vendase. “Domethënë, ne po ballafaqohemi me një problem shumë më të thellë sepse korrupsioni, ndërkohë, është bërë mënyrë jetese për shumë veta apo siç e përshkroi para pak kohe një ambasador i huaj, bëhet fjalë për mentalitetin e njerëzve i cili duhet të ndryshojë”, tha ai.
Fjalimi i Pendarovskit ishte zhvillimi më i rëndësishëm politik sot në Maqedoninë e Veriut, por gjithashtu të rëdësishme ishin edhe reagimet ndaj fjalimit të tij, shkruan Zhurnal. Nga këto reagime, tek shumë opinioistë dhe njohës të rrethanave me të drejtë u krijua përshtypje se pushteti në fakt sot i dha fund dilemave nëse kandidat i tyre në zgjedhjet e ardhshme do të jetë Oliver Spasovski, duke i dhënë dritë jeshile ri-nominimit të Pendarovskit për kandidat presidencial. Përshtypja e tillë mbi të gjitha krijohet nga reagimi i LSDM-së, por edhe ii BDI-së ndaj fjalimit të Pendarovskit, me çka presidenti aktual si duket pak para kohe mori dhuratën e Vitit të Ri dhe prej tani duhet të përvjelë mëngat për një garë të re zgjedhore përballë VMRO-DPMNE-së, të tretën me radhë që nga viti 2014. Një garë e humbi në vitin 2014, një e fitoi në vitin 2019, kurse gara e tretë ende është në pikëpyetje. Mirëpo nga reagimet e sotme pas fjalimit të tij, duket se edhe kjo garë është në horizont.
LSDM dhe BDI me “elozhe” për fjalimin e fundvitit të presidentit
Për shembull, nominimi i ardhshëm i Pendarovskit parandjehet qartë nga deklarata e deputetit të LSDM-së, Martin Kostovski i cili tha se sot ishim dëshmitarë të fjalimit burrështetëror të presidentit, si president i të gjithë qytetarëve.
“I përfshiu sfidat gjatë viteve të kaluara me fokus të qëllimeve kyçe shtetërore dhe kombëtare anëtarësimit në NATO dhe BE. LSDM e përshëndet faktin që Presidenti Pendarovski fuqishëm mbetet në qëndrimin se shteti duhet të mbijetojë në rrugën evropiane dhe të orientimit properëndimor sepse ajo është alternativa e jonë e vetme, th”, Kosotovski, i cili shtoi se anëtarësimi në BE nënkupton standard më të mirë për të gjithë qytetarët, paga dhe pensione më të larta, të ardhme të sigurt evropiane për të gjitha gjeneratat e reja, ndërsa siç tha, gënjeshtrat dhe manipulimet për bullgarizim dhe asimilim bashkë me gënjeshtrat se do të humbet gjuha dhe identiteti maqedonas defonitivisht janë humbur.
Bindjen e shprehur në titullin e kësaj analize se Pendarovski “de facto” sot mori dritë jeshile nga pushteti për të garuar edhe një herë për postin presidencial, e forcon edhe reagimi i koordinatorit të grupit parlamentar të BDI-së, Arbër Ademi, i cili pas fjalimit të presidentit tha se të gjitha temat me të cilat jemi përballur gjatë katër-pesë viteve ishin përfaqësuar në fjalimin e presidentit , shkruan Zhurnal.
“Ajo që duhet theksuar me këtë rast janë dy çështje – ruajtja e marrëdhënieve të mira ndëretnike dhe ruajtja e kursit evropian të shtetit janë temat që BDI-ja i ka avokuar që nga formimi i saj e deri më sot. Duhet të bëjmë gjithçka për ta mbajtur Republikën e Maqedonisë së Veriut në binarët evropianë dhe jo vetëm Maqedoninë e Veriut por edhe gjithë rajonin, andaj edhe prezantimi i presidentit në drejtim të ndryshimeve kushtetuese shkon në atë drejtim”, tha Ademi.
Sipas tij, jo vetëm nga përbërja e ardhshme, por edhe në këtë përbërje, duhet të bëhen përpjekje titanike për të pasur sukses në miratimin e ndryshimeve kushtetuese, duke pasur parasysh se nuk kemi alternativë tjetër veçse t’i bashkohemi vendit tonë në BE, duke pasur parasysh, siç tha ai, “edhe ata që janë kundër nuk kanë arsye të vlefshme pse nuk do të votonin për ndryshimet kushtetuese”.
“Dhe sigurisht këtu dallohen ata që kanë qasje burrështetase, që mendojnë për gjeneratat e ardhshme dhe ata politikanë që mendojnë thjeshtë vetëm se si të marrin një votë më shumë në zgjedhjet e ardhshme, pa marrë parasysh interesin e përgjithshëm të qytetarëve”, tha Ademi. Shtoi, se pajtohen me presidentin se anëtarësimi në NATO është një nga vendimet më të rëndësishme tona, si dhe se detyrimi ynë është që ta ruajmë mbështetjen për BE-në.
Në të njëjtën vijë ishte edhe qëndrimi i deputetit Halil Snopçe nga Aleanca për Shqiptarët, i cili vlerësoi sot se presidentin Stevo Pendarovski e kanë aleat në angazhimin e tyre në luftën kundër korrupsionit dhe krimit dhe për reformimin e sistemit gjyqësor. “Domethënë, në mënyrë eksplicite presidenti e tha atë që ne e kemi thënë jo njëherë por dhjetëra herë dhe për çka angazhohej gjithashtu ministri jonë i të Drejtësisë. Ky është konstatimi im”, tha Snopçe.
Shfaqi kënaqësi që Pendarovski në fjalimin para deputetëve i ka bërë thirrje përbërjes së ardhshme parlamentare që të angazhohet për largimin e të gjithë prokurorëve dhe gjykatësve për të cilët ka dyshime se e kryejnë punën në mënyrë të papërgjegjshme, që korespondon edhe me angazhimin e tyre. Megjithatë Snopçe shprehi edhe vërejtje, duke porositur se kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndëretnike, Pendarovski në fjalimin e tij duhej ta thoshte qëndrimin e tij “për heqjen e 20 për qindëshit me të cilin definohet gjuha shqipe”, ta përmend rastin në shkollën në Çashkë, si dhe rastin me problemin ekologjik dhe gërmimet në Konjarë.
Takim Pendarovski-Ageler, a po e përkrahin edhe ndërkombëtarët rikndidimin e presidentit aktual?
Pasi ka mbajtur fjalimin e fundvitit në Kuvend, presidenti Stevo Pendarovski sot është takuar me ambasadoren amerikane në Shkup, Angela Ageler. Ne nuk do të konstatojmë asgjë, mirëpo shumë prej jush me siguri do të konstatoni se ky takim i sotëm i përngjan një takimi përkrahës nga bashkësia ndërkombëtare për presidentin Pendarovski. Ai gjatë tërë kohës ka kultivuar raporte të mira nga ndërkombëtarët, prandaj si duket do të ketë përkrahje mjaft të fuqishme prej tyre edhe më tutje, shkruan Zhurnal.
Ndryshe në fokus të bisedimeve në takimin e sotëm të presidentit Pendarovski me ambasadoren Ageler ishte procesi eurointegrues i Maqedonisë së Veriut në kontekst të skrining procesit të kompletuar dhe vendimeve të paradokohshme të Këshillit të BE-së. “Në këtë drejtim u pajtuan se nevojitet të vazhdojë përkushtimi drejt integrimeve evropiane, duke marrë parasysh se përmes procesit të negociatave për anëtarësim në BE do të mundësohet transformimi pozitiv i kapaciteteve demokratike në shoqëri, do të hapen mundësi për prosperitet më të madh ekonomik, këmbim i shërbimeve dhe të mirave, si dhe mobilizim më i madh i popullatës për arsim dhe zhvillim profesional”, thuhet në kumtesën nga Kabineti i Pendarovskit.
Gjatë takimit, janë shkëmbyer mendime edhe për situatat në rajon, si dhe ngjarjet në sferën e sigurisë në rajonin më të gjerë, lufta në Ukrainë dhe ngjarjet e Lindjen e Afërt.Presidenti Pendarovski ka shprehur kënaqësi për miqësinë stabile dhe dinamike mes vendit tonë dhe SHBA-së, duke shtuar se shoqëria dhe veçanërisht qytetarët tanë e vlerësojnë mbështetjen e SHBA-së. Në këtë drejtim, thuhet në kumtesë, ai ka shprehur siguri se mbështetja amerikane do të vazhdojë edhe në periudhën në vazhdim, si garancion i paqes, stabilitetit dhe prosporitetit në rajonin tonë.
Sikurse pjesa më e madhe e fjalimit në Kuvend, poashtu edhe takimi me ambasadoren Ageler, një zë i fuqishëm kritik kundër korrupsionit, paraajmëron se në fokus të fushtës së tij (kuptohet nëse zyrtarizohet sepse gjasat janë të mëdha), do të jetë edhe narrativi antikorrupsion./Zhurnal
