Mia Leimberg doli nga mbajtja peng për gati dy muaj në Gaza, duke e mbajtur në duar qenin e saj, Bella. Ky ishte njëri nga momentet më befasuese gjatë armëpushimit njëjavor mes Izraelit dhe Hamasit.
“Kur ishim atje, detyroheshim që ta ushqenim me ato që i linim – po, po flas për ty, Bella”- tha 17-vjeçarja Mia, duke e shikuar qenin e vogël në krahët e saj. “Duhej të siguroheshim që ajo të mos vraponte në mënyrë të egër aty ku ishim. Duhej ta mbanim në mënyrë që të mos shkonte për të eksploruar ose për të zemëruar ndokënd atje”- shtoi ajo.
Mia dhe nëna e saj, Gabriela, po e vizitonin familjen në Nir Yitzhak, kur ishin marrë peng nga Hamasi gjatë sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit, duke e nxitur luftën në Gaza.
Nëna, bija e saj, tezja dhe qeni u liruan si pjesë e marrëveshjes për shkëmbim me të burgosur palestinezë, por daja dhe partneri i tezes së saj mbeten në duart e militantëve, raporton agjencia “Reuters”.
“Ishte vështirë. E mbajta atë [qenin] gjatë tërë rrugës deri atje. Ishin katër kilogramë shtesë dhe thjesht isha mjaftueshëm me fat që arrita ta mbaja gjatë tërë asaj situate dhe ta sillja këtu”- tha Mia në shtëpinë e saj në Jerusalem gjatë intervistës së parë me media.
“Fatmirësisht për mua, Bella nuk është si qentë e tjerë të vegjël që unë personalisht i njoh, ajo është më e qetë, përpos kur luan ose kur është e zemëruar. Nëse do ta shihnin si shqetësim, mendoj se nuk do të më linin që ta mbaja, e them me plot sinqeritet”- shtoi adoleshentja izraelite.
Shumë kafshë shtëpiake u vranë ose u zhdukën gjatë sulmit të Hamasit në Izrael.
Babai i Mias, Moshe, tha se e kishin kërkuar qenin gjatë kohës së mbajtjes së anëtarëve të familjes peng. Ditën kur u liruan, ai ishte i befasuar, kur mori vesh se bija e tij u kthye me qenin e saj në krah.
Ai dha më shumë hollësi për situatën nëpër të cilën kaloi Mia. “Ajo ishte e brengosur se diçka do t’i kishte ndodhur qenit, nëse do ta linte pas vetes”– tha babai.
Mia e fshehu qenin në pizhamet e saj, kur pengjet u futën në një automjet që i mori nga vendbanimi.
“Pastaj i çuan në tunele. Ajo e kishte qenin me vete tërë kohën. Kur dolën nga tuneli, duhej të ngjiteshin shkallëve. Në atë moment, njerëzit e Hamasit vërejtën se nuk ishte kukull, por qen i gjallë që merret frymë”- shtoi babai i vajzës.
“Pasoi pak grindje dhe u vendos që ta linin atë që ta mbante qenin në vend se ta linte prapa”- tha më tej burri i quajtur Moshe.
Pengmbajtësit i pastronin vendet ku rrinte qeni për ta parandaluar erën e keqe.
Mia tregoi se si qëndrimi në izolim ishte përvojë e vështirë, por prania e qenit ishte ndihmë për të. “Ajo ishte ndihmë e madhe për mua. Më mbante të angazhuar. Ishte përkrahje morale”- tha adoleshentja.
Mia më tej shtoi se ajo dhe familja do të luftojnë për lirinë e pengjeve të tjera, përfshirë dajën dhe partnerin e tezes së saj.
“Na mungojnë çdo ditë dhe duket gjë e gabuar të jem këtu pa ta. Sado që jam e gëzuar që jam kthyer, ende nuk ka mbaruar”- tha ajo.
Burimi Nacionale.com
