A do të ketë përpjekje të reja për të zhbllokuar negociatat mes grupeve parlamentare për Kodin Zgjedhor, pasi sot partia E Majta (Levica) doli me një komunikatë ku njoftoi se do të përdorë të gjitha mekanizmat ligjorë, politikë dhe demokratikë për çështjen e një njësie zgjedhore, pavarësisht afateve të tejkaluara.
Nga partia shtojnë se tejkalimi i afatit nuk e anulon kërkesën e qytetarëve, e cila, sipas tyre, është e domosdoshme për një proces zgjedhor të drejtë dhe demokratik.
Levica:
“Levica do të përdorë të gjitha mekanizmat politikë, institucionalë dhe demokratikë që çështja e një njësie zgjedhore të hapet përsëri. Afati i tejkaluar nga pushteti nuk e anulon kërkesën e popullit. Partitë që janë të bindura në mbështetjen e qytetarëve nuk ikin nga një njësi zgjedhore, nuk kërkojnë shpëtim përmes manipulimeve zgjedhore dhe nuk sigurojnë avantazhe miliona eurosh nga buxheti për reklamim politik. Nga rregullat e barabarta frikësohen vetëm ata që e dinë se pesha e tyre reale politike është më e vogël se fuqia që u jep sistemi aktual.”
Ndërkohë, nga partia në pushtet VMRO-DPMNE edhe sot nuk e humbën rastin që të akuzojnë pikërisht LSDM-në dhe Levicën se janë penguesit e këtij procesi, për shkak të të cilit vendi, sipas tyre, humbi 4.2 milionë euro fonde evropiane derisa duhej të miratohej ky ligj reformues.
Valentin Manasievski – VMRO-DPMNE:
Nga ana tjetër, nga selia e LSDM-së në “Bihaçka” sot akuzuan se pikërisht VMRO-DPMNE është ajo që nuk dëshiron miratimin e një Kodi të ri Zgjedhor.
LSDM:
“VMRO-OKG dhe Hristijan Mickoski po e bllokojnë miratimin e Kodit të ri Zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHR-it. Në vend që të miratohet një ligj që do të sigurojë zgjedhje të drejta, transparente dhe demokratike, ata po përpiqen të imponojnë zgjidhje që do t’u mundësojnë kontroll dhe manipulim të procesit zgjedhor. Veçanërisht shqetësues është qëndrimi i tyre ndaj votimit të diasporës. Në vend që të vendosen mekanizma për kontroll dhe transparencë, VMRO-OKG dëshiron një sistem që do t’u lejojë të manipulojnë me qindra mijëra vota nga diaspora.”
Thirrje për miratimin e Kodit Zgjedhor kanë bërë edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas, por deklaratat e tij mbetën vetëm si mbështetje morale për afrimin e qëndrimeve mes partive.
Megjithatë, partitë vendosën të mos i vazhdojnë negociatat, ndërsa ligji reformues zgjedhor mbeti i bllokuar në “labirintet” e Kuvendit.




