Partitë politike në vend janë përplasur sot për “botën serbe”, duke hedhur akuza të rënda në adresë të njëra tjetrës për bashkëpunim dhe përfshirje në agjendën dhe skenaret serbe. Partia opozitare LSDM deklaroi se kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministri aktual i Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoilkoviq, janë zbatues të veprimtarisë hibride të presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Ballkan, shkruan Portalb.mk.
Nga LSDM konsiderojnë se Maqedonia, me Mickoskin në krye, është bërë peng i interesave të huaja në Ballkan, duke vlerësuar se politikat e Qeverisë po e largojnë vendin nga Bashkimi Evropian. Sipas LSDM-së, Vuçiq po vendos votimin elektronik, po shpërndan pasaporta dhe po regjistron qytetarë nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut në Serbi, me qëllim që të përgatitet për, siç pretendon partia, vjedhje zgjedhore.
“Siç kemi thënë tashmë prej muajsh, Mickoski po bën ‘copy-paste’ të gjithçkaje që Vuçiq dhe partia simotër SNS bëjnë në Serbi. Mediat janë përgatitur. Latas, njeri i shërbimeve serbe, zhvillon fushata sipas metodës së Gebelsit – ofendime, përçarje dhe përsëritje e vazhdueshme e të njëjtit term fyes për ta dehumanizuar kundërshtarin politik. Stoilkoviqi në Maqedoni hapur punon në agjendën kineze dhe ruse. I ofendon deputetët në Kuvend dhe e glorifikon Ratko Mlladiqin”, thonë nga partia opozitare. Sipas LSDM-së, e gjithë kjo është pjesë e së njëjtës fushatë.
“Kjo është politikë e vetëdijshme e Mickoskit dhe grupit të tij kriminal për ta mbajtur Maqedoninë larg BE-së, në izolim, dhe më pranë forcave autoritare dhe ndikimeve lindore”, shtojnë nga partia.
Nga VMRO – DPMNE i kanë quajtur hipokrizi akuzat e LSDM-së, duke thënë se, ish-këshilltari i Zaevit për vetëqeverisjen lokale, Viktor Petrushevski, dhe ish-anëtar i strukturave të larta partiake të LSDM-së, është përfshirë në aferën e fundit të spiunazhit në një vend fqinj, ku disa figura publike atje rezultuan se ishin pjesë e shërbimit sekret serb, për të cilën është ngritur edhe aktakuzë.
“Në të njëjtin rast për bashkëpunëtorët e BIA-s përmendet edhe emri i Petrushevskit, këshilltarit të mentorit të Venko Filipçes, Zoran Zaevit. Nga ana tjetër, kryetarët e komunave të LSDM-së, si ai i Kriva Pallankës, këto ditë organizojnë koncerte pikërisht me këngëtarët e Aleksandar Vuçiqit, për të cilin thonë se dëshiron ta zgjerojë ndikimin e tij edhe në territorin tonë. Ndërsa, nga rasti i Petrushevskit shihet se kush është zbatues dhe bashkëpunëtor i shërbimeve serbe. Pikërisht për ta bërë hipokrizinë edhe më të madhe, Ljubço Nikollovski – Poteri dhe kryetari i komunës së Kriva Pallankës do të argëtohen në shesh me koncertin e Lepa Brenës, e cila gjithashtu i ka kënduar ushtrisë së Mlladiqit. Ndërsa Aco Pejoviq do të këndojë në sheshin e Makedonska Kamenicës”, thane nga VMRO.
Përplasje për të njëjtën temë ka pasur edhe në kampin politik shqiptar. Nga BDI kanë akuzuar VLEN-in për heshtje përballë glorifikimit të Mlladiqit. Ata vlerësojnë se, glorifikimi i kriminelëve të luftës nga partnerët e VLEN-it nuk është një incident i izoluar. Ai është pjesë e një politike të heshtjes, tolerancës dhe nënshtrimit ndaj partnerëve të pushtetit. “Bota serbe”, sipas tyre, ka depërtuar thellë në strukturat politike dhe institucionale të vendit.
“Ivan Stoilkoviq dhe partia e tij serbe kanë shfaqur vazhdimisht qëndrime të tilla, duke e quajtur masakrën e Srebrenicës “Disneyland nekrofil”. Pikërisht këtë profil politik dhe këtë qasje ndaj një prej gjenocideve më të tmerrshme në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore, VLEN-i e ka partner në Qeveri, ndërsa edhe një drejtues i zgjedhur nga vetë VLEN-i në institucionin përgjegjës për të drejtat e komuniteteve është përfshirë në glorifikimin e Mladiçit. Dhe çfarë bën VLEN-i? Sillet sikur të ishte organizatë joqeveritare apo parti opozitare: pret që të reagojë opinioni, populli dhe partitë e tjera, pastaj del me ndonjë reagim formal për të larë duart. Por VLEN-i nuk është spektator. VLEN-i është në Qeveri dhe është bashkëpërgjegjës për partnerët që i mban në pushtet dhe për gjithçka që toleron për hir të karrigeve”, kanë thënë nga BDI.
Reagimet vijnë pasi të premten (28 gusht) drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, shpërndau një përmbajtje glorifikuese ndaj figurave çetnike dhe ish-komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq i njohur si “Kasapi i Ballkanit” për krimet e kryera. Edhe nga partia e Ivan Stoilkoviqit është publikuar një mesazh që glorifikon Ratko Mlladiqin, duke e paraqitur atë si „shpëtimtar të popullit serb në Bosnjë“. Pas reagimeve të shumta në opinion, reagoi edhe partia VLEN, duke dënuar çdo glorifikim të çetnikëve dhe veçanërisht të Ratko Mlladiqit.
“Akoma më shqetësuese është kur përmbajtje të tilla publikohen nga drejtuesi i një institucioni që ka për detyrë të mbrojë të drejtat e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera. Kjo nuk është çështje shijesh apo bindjesh personale. Është çështje e standardeve të një zyrtari publik dhe e mesazhit që institucionet ua dërgojnë qytetarëve. VLEN kërkon përgjegjësi të menjëhershme. Kush nuk respekton viktimat dhe vlerat e bashkëjetesës nuk mund të jetë garant i të drejtave të komuniteteve”, thuhej në reagimin e VLEN-it.




