Shkruan Agim Abazi
Ultimatumi – fjala e thënë e fundit, ose merr ose le!
Çdoherë kur dy ose më tepër palë kanë hyrë në ethet e “vrapimit”, andej ose këndej, zgjidhjen e shohin tek ultimatumi.
Në mungesë të argumenteve për të dalë fitues nga situatat e palakmueshme palët detyrohen që të “negociojnë” dhe taksativisht “t’i mëshojnë” tavolinës me grushtin e quajtur ultimatum.
Jemi dëshmitarë të kohës se në Ballkan nën ultimatume të fuqive të mëdha, pasi të është bërë një nam i humbjeve si në njerëz, si në të mira materiale, vjen momenti edhe i vihet një pikë e madhe situatës kur palët në konflikt ulen në tryezë, dhe, nën diktatin e interesave “humane” dhe “paqësore” (lexo: imperialiste), jepen ultimatumet për të përmbyllur një proces.
Ultimatumi po (keq)përdoret për nevojat e ditës nga ana e zotëruesve të rendit aktual botëror.
Sot kur skena politiko-ekonomike në botë ka arritur stadiumin më të lartë të vlimit në epokën e zhvillimit më të madh teknologjik, ultimatumet po diktojnë sikurse hartën gjeopolitike ashtu edhe atë tregtare. Tarifat mes shteteve të mëdha janë bërë sikurse kusuri që ngel pas blerjes në një market për ne njerëzit e rëndomtë të lagjes.
Të ndikuar nga ultimatumet e politikanëve, njerëzve me ndikim dhe më të mëdhenjve, ultimatumi ka gjetur vend të posaçëm edhe në shoqërinë tonë. Burri i bën ultimatum gruas dhe anasjelltas gruaja burrit… dhe më e keqja fëmijët u bëjnë ultimatume prindërve, ngaqë prindërit i kanë lënë fëmijët nën mëshirën e tiktokut dhe snapchatit.
Na ngel të presim se me çfarë ultimatumi do të në çel dita e nesërme.
Një gjë është e qartë, ultimatumet gjatë historisë kanë qenë dhe sipas të gjitha gjasave do të jenë pjesë e përrallave që njerëzit i sajojnë për të diktuar fuqinë reale ose mbireale që posedojnë që të mbajnë njerëzit të urtë sikurse delet.