PËRTEJ INAUGURIMIT TË XHAMISË NGA TURQIA…
Turqia vazhdon përpjekjet e saj në nivel dypalësh, rajonal dhe ndërkombëtar për të forcuar paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe për të zgjidhur konfliktet ekzistuese përmes dialogut. Si një vend që është pjesë integrale e rajonit dhe e besuar nga kombet e tjera në të, Turqia luan një rol konstruktiv në iniciativat që kontribuojnë në paqen dhe prosperitetin e rajonit, të cilat mbështeten në një ekuilibër delikat.
Turqia thekson në çdo rast mbështetjen e saj të fuqishme për integritetin territorial, sovranitetin dhe unitetin politik të Bosnjë dhe Hercegovinës, e cila është me rëndësi jetike për paqen në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe mbështet në mënyrë aktive proceset për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në tërë këtë gjeografi ballkanike, Turqia është e gatshme të punojë së bashku me fqinjët, miqtë dhe partnerët e saj jo vetëm për të eliminuar kërcënimet, tentimet për destabilizim dhe konfliktet, por edhe për të shërbyer si promotor rajonal i stabilitetit dhe paqes. Me fjalë të tjera, Turqia angazhohet dhe dëshiron që të avancojë marrëdhëniet e saja me të gjitha vendet në rajonin tonë përmes një agjende pozitive. Kjo do të ketë gjithashtu një efekt të përhapur pozitiv në dobi të të gjithë rajonit dhe kështu do të kthehet në një formulë “win-win”.
Ndërsa, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan gjatë fjalimit të tij me rastin e inaugurimit të Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, ndër të tjera theksoi:
• mosdevijimin nga vlerat e larta të Islamit si fe e paqes dhe moslejimin e veprimtarisë së pakontrolluar të grupeve që shfrytëzojnë Islamin për përfitimin e tyre;
• kundërshtimi i terrorizmit shtetëror izraelit është një imperativ moral për të gjithë ne;
• qeveria e Netanyahut sulmoi së fundmi Libanin dhe tregoi edhe një herë se nuk ka ndërmend të shohë paqe në rajonin e Lindjes së Mesme;
• me ndërgjegje i bëj thirrje gjithë botës, veçanërisht muslimanëve, të mbajnë një qëndrim të përbashkët kundër agresionit izraelit.