17 të punësuar në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve tanimë pesë muaj kanë mbetur pa rroga për shkak të problemit të krijuar me ndryshimet e Ligjit për Mbikëqyrje Inspektuese dhe nevojën për harmonizim me Ligjin për Organizimin dhe Punën e Organeve të Administratës Shtetërore, shkruan Alsat.
Siç mëson Alsat, nesër të punësuarit do të mbajnë konferencë për shtyp në të cilën do të kërkojnë nga institucionet zgjidhjen problemit, ndërsa nuk përjashtohet që si masë e fundit të jetë edhe protesta. Krahas kësaj, të punësuarit kanë kërkuar takim me kryeministrin Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministrin Izet Mexhiti, ministrin e Drejtësisë Igor Fillkov, ministren e Financave Gordana Koçovska Dimitrievska dhe kreun e Kuvendit Afrim Gashi.
Ndryshimet ligjore me të cilat, parashikohet heqja e statusit juridik të Inspektoratit kanë ngecur në Kuvend, pas kalimit të filtrit të komisioneve. Arsyeja, është se shumica parlamentare nuk ka Badenter apo shumicë të dyfishtë. Opozita shqiptare, refuzon të mbështesë këto ndryshime pasi sipas tyre, me heqjen e statusit juridik, Inspektorati do të transformohet në institucion të pafuqishëm, ndërsa çështja e mungesës së rrogave përdoret vetëm si alibi, pasi problemi qëndron te drejtori.
Ndërkohë, institucioni që kujdeset për të mbikëqyrur respektimin e gjuhës shqipe nëpër institucione është i paralizuar. Inspektoratit, siç mund të shihet edhe në ueb-faqen e institucionet nuk i ka miratuar as planet mujore të secilit inspektor për muajin prill dhe maj. Praktikisht, inspektorët tani për tani nuk mund të zhvillojnë inspektime të rregullta, për shkak të mungesës së kushteve për punë.
Neglizhenca e shtetit ndaj këtij institucioni ka arritur majat. Situata është bërë alarmante deri në pikën që Inspektorati nuk furnizohet me rregull me letër e ngjyrë për të kryer detyrat elementare. Veç kësaj, prej shtatorit të vitit të kaluar Inspektoratit i janë përgjysmuar edhe zyrat, respektivisht prej 6 në 3. E të mos flasim që shteti shpërfill ndër vite kërkesën modeste të inspektorëve për një automjet zyrtar, diçka që do të ishte e paimagjinueshme të ndodhte në ndonjërin prej inspektorateve tjera. Deri më tani inspektimet në terren, janë bërë me vetura dhe shpenzime private.
Përveç problemeve praktike, inspektorati ndër vite përballet edhe me shpërfillje nga institucionet, duke e pasur parasysh se korniza ligjore nuk u jep mundësi që inspektorët të gjobisim për shkeljet apo për ata që nuk e respektojnë gjuhën shqipe. Inspektorët, detyrohen që të përgatisin procesverbale për shkelësit, në bazë të të cilave dorëzojnë padi në gjykatë, ndërsa më pas gjykata duhet t’i dënojë.
Megjithatë, gjykatat e vendit kur bëhet fjalë për shkelësit e shqipes, i zvarrisin procedurat për të ndëshkuar edhe pse Ligji për Përdorimin e Gjuhëve ka nivel të lartë të mosrespektimit. Respektivisht, sipas të dhënave të Inspektoratit në 70% të inspektimeve të kryera është konstatuar shkelje.
Burimi / Alsat.mk