6.8 C
Skopje
E martë, 10 Mars, 2026

PKK: E përfunduam misionin historik – i japim fund luf’tës së armat0sur

Grupi militant, Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila ka qenë e përfshirë në një konflikt të përgjakshëm me shtetin turk për më shumë se katër dekada, ka vendosur që të shpërbëhet dhe t’i japë fund kryengritjes së armatosur, raportoi të hënën një agjenci lajmesh që është e afërt me grupin.

Vendimi i PKK-së pritet të ketë pasoja të gjera politike dhe të sigurisë për rajonin, përfshirë Irakun e Sirinë, ku forcat kurde janë aleate të ushtrisë amerikane, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Më shumë se 40 mijë njerëz janë vrarë në konflikt që nga koha kur PKK-ja e kishte nisur kryengritjen e saj më 1984. Ajo cilësohet grup terrorist nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë.

“PKK-ja e ka kompletuar misionin e saj historik” – tha ky grup, sipas agjencisë së lajmeve “Firat”, e cila e publikoi atë për të cilën tha se është deklaratë e një kongresi që PKK-ja e mbajti javën e kaluar në pjesën veriore të Irakut, ku e ka bazën.

PKK-ja e mbajti kongresin si reagim ndaj thirrjes së udhëheqësit të saj të burgosur, Abdullah Ocalan, që grupi të shpërbëhej. Ai e bëri thirrjen në muajin shkurt.

“Kongresi i 12-të i PKK-së vendosi që ta shpërbëjë strukturën organizative të PKK-së, ndërsa procesi praktik do të menaxhohet dhe do të kryhet nga udhëheqësi Apo, dhe për t’i dhënë fund metodës së përpjekjes së armatosur” – thuhet në deklaratë, ku u përdor nofka e Ocalanit.

“Përpjekja e PKK-së e ka thyer politikën e mohimit dhe të asgjësimit të popullit tonë dhe e ka sjellë çështjen kurdë në pikën e zgjidhjes së saj përmes politikës demokratike” – thuhet më tej në deklaratë.

Vendimi i PKK-së do t’ia japë mundësinë presidentit turk, Rexhep Erdogan, që ta fuqizojë zhvillimin në juglindjen kryesisht kurdë, ku kryengritja e ka bllokuar ekonominë rajonale me dekada.

Omer Celik, zëdhënës i partisë AK të Erdoganit, tha se vendimi i këtij grupi për t’u shpërbërë është “një hap i rëndësishëm drejt një Turqie pa terror”.

Ministria e Jashtme e Turqisë nuk e komentoi menjëherë njoftimin e PKK-së, të cilin Ankaraja ka qenë duke e pritur.

Gjatë dekadave të kryengritjes ka pasur përpjekje të kohëpaskohshme për paqe. Në periudhën 2013 – 2015 ishte arritur një armëpushim, por marrëveshja më pas kishte dështuar.

 

 

Burimi/Nacionale

Të ngjajshme

Të fundit