12.8 C
Skopje
E enjte, 14 Maj, 2026

Prishtina do të bëhet me tunel në rrugën “Agim Ramadani”

Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj ka treguar për projektet e ardhshme të kryeqytetit, mes të cilave ka veçuar ndërtimin e një tuneli në rrugën “Agim Ramadani”.

Tuneli, i cili do ta ketë formën e shkronjës Y, do të vazhdojë nga kjo rrugë te shkolla e mesme “Sami Frashëri” dhe te rrethi i vogël te komuna e vjetër e Prishtinës.

Ky projekt, siç tha Zogaj, përveç se do ta ndihmojë qarkullimin e komunikacionit, përmbi do të shërbejë si zonë për këmbësorët duke ia kthyer edhe “kalldrëmin e vjetër qytetit” ku edhe janë xhamitë kryesore të kryeqytetit.

“Një projekt i një rëndësie të veçantë dhe një fokus kyç i kryetarit Rama është edhe tuneli në rrugën ‘Agim Ramadani’, i cili është pas teatrit dhe vazhdon deri te shkolla e mesme ‘Sami Frashëri’ dhe deri te rrethi i vogël këtu te komuna e Prishtinës. Është një tunel në formë të shkronjës Y”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

Tutje, Zogaj ka thënë se implementimi pritet që të fillojë në pranverën e vitit 2024, teksa e shpjegoi edhe idenë e tunelit.

“Ideja është që veturat të hyjnë nëntokë në tunel kurse mbi tokë e gjitha të jetë për këmbësorë dhe t’ia kthejmë pamjen e vjetër qytetit të vjetër të Prishtinës, ku janë edhe xhamitë kryesore, nga Xhamia e Çarshisë deri te Xhamia e Madhe. Duam që t’ia kthejmë kalldrëmin e vjetër qytetit dhe të kthehet në një zonë për këmbësorë”.

“Aktualisht jemi duke e projektuar, pas projektimit shpallet tenderi, zgjedhim kompaninë implementuese dhe në pranverën e vitit 2024 fillojmë me implementim”.

Nënkryetari i Prishtinës ka thënë se janë rreth 90 milionë euro për investime kapitale, disa edhe nga vitet e kaluara, të cilat do të përdoren për qindra projekte.

Të ngjajshme

Të fundit