Gjyqësori është pushteti i tretë sipas radhitjes së pushteteve, që duhet të kontrollojë dy pushtetet tjera atë legjislativ dhe ekzekutiv. Por, në Maqedoninë e Veriut ky pushtet ka stagnuar së punuari dhe duket sikurse është jofunksional. E ky nuk është opinion por është fakt i bazuar në rezultatet e hulumtimeve të realizuara përgjatë po të njëjtit vit, ku besimi në gjyqësor ka pësuar rënie drastike nga 8% që ishte shifër alarmante dhe shqetësuese, deri te rezultatet e publikuara të hulumtimit të fundit nga IRI besimin në gjyqësor ka rënë në 4%. Kur besimi në gjyqësi është në nivelin më të ulët të mundshëm çfarë pritet nga institucionet tjera kur institucionet e drejtësisë nuk janë të afta as të ndajnë drejtësi e as të merren me rastet e montuara politike, e aq më pak me korrupsionin në vend. Së fundmi, ka pasur zhvillime të çuditshme e aspak të pritshme në njërin ndër organet më të rëndësishme të gjyqësisë, Këshillin gjyqësor, ka ndodhë shkarkimi i kryetares, Vesna Dameva, dhe emërimi e kryetarit të ri, Sashko Georgiev, mes akuzash për ndikime politike dhe mosrespektim të procedurave ligjore. Ky është një ndër shumë rastet tjera që ndikon edhe më shumë të ulet besimi në gjyqësi, shkruan Zhurnal.
Ndodhitë në Këshillin gjyqësor janë dëshmi që gjyqësia ende nuk është çliruar në tërësi –
Këshilli Gjyqësor ka shkarkuar të mërkurën në mënyrë të papritur kryetaren Vesna Dameva në një seancë publike. Arsyeja direkte e shkarkimit të Damevës ishte refuzimi i saj për të vendosur një pikë të re në rendin e ditës dhe gjoja fshehja e letrës nga ambasadorja Aggeler. Shkarkimi i saj u nis nga deputeti Selim Ademi, i cili pas disa orësh tensionesh dhe debatesh mori mbështetjen e 7 prej 13 anëtarëve të Këshillit për ta shkarkuar Damevën nga kryesia. E pas këtij shkarkimi është emëruar kryetarit të ri, Sashko Georgiev, mes akuzash për ndikime politike dhe mosrespektim të procedurave ligjore.
Kujtojmë që më herët, ambasadorja amerikane Ageler kishte thënë se nuk është e sigurt në qoftë se edhe vetingu në gjyqësor do të ndihmonte, pasi siç potencoi ajo, në një vend ku ka korrupsion, ky proces vështirë bëhet në formë të drejtë dhe transparente.
Ajo që është e çuditshme është fakti se janë dhënë deklarata publike të anëtarëve të Këshillit, se ka pasur ndikim politik në këtë shkarkim dhe emërim në Këshillin gjyqësor. Por, këto deklarata duhet të sqarohet e të jepet llogari, mbi të gjitha të argumentohen këto akuza sepse në këtë formë edhe më shumë njolloset gjyqësia. Sipas Ligjit është i ndaluar organizimi dhe veprimi politik në Këshillin gjyqësor, sidomos që Këshilli me punën e tij duhet të parandalojë ndikim politik në gjyqësor. Ndërkaq, nuk është për çudi fare që anëtarët e këtij Këshilli akuzojnë njëri tjetrin për varësi dhe ndikim politik.
“Përgjigja më e mirë e përpjekjeve për ndikime politike apo çfarëdo lloj ndikimi është integriteti personal dhe respektimi konsekuent i parimit kushtetues të ndarjes së pushteteve. Dhe kjo nuk guxon të jetë një zhgënjim apo thjesht një parim i shprehur vetëm në mënyrë deklarative. Nuk ka mënyrë tjetër për të rikthyer reputacionin e gjyqësorit përveçse të tregohet se gjyqësori është rezistent ndaj ndikimeve. Çdo kalkulim politik në kurriz të marrjes së vendimeve ligjore duhet të sjellë përgjegjësi. Jemi në një periudhë të rëndësishme për shtetin dhe çdo gjyqtar me qëndrim të fortë të krijuar për sundimin e të drejtës duhet të tregojë autoritet dhe dinjitet. Por, ai duhet të tregojë edhe përgjegjësi për të drejtat dhe interesat e qytetarëve dhe për të ardhmen e vendit”, ka thënë kryetarja e Gjykatës Supreme të Maqedonisë së Veriut, Besa Ademi, në një intervistë për Meta.mk.
Mes tjerash Ademi ka theksuar se kemi të bëjmë me gjyqësorin që është shtylla e shtetit dhe çdo ngjarje e zhvillim që ndodhë në këtë institucion flet për të ardhmen e vendit.
“Këtu flitet edhe për të ardhmen e gjyqësorit që është shtylla e shtetit. Prandaj tentimet për ndikime mund të parandalohen vetëm kur gjyqtari është i vendosur dhe i pavarur dhe kur me veprimin dhe sjelljen e tij, ai dërgon një porosi në qendra të ndryshme të pushtetit që do të tentojnë të vënë dorë mbi gjyqësorin. Në punën time si gjyqtare dhe si kryetare e Gjykatës Supreme, gjithmonë jam menaxhuar dhe menaxhohem nga kjo maksimë dhe pikërisht për ato arsye nuk ka pasur tentime për ndikime apo e kam dekurajuar që të ndodh një gjë e tillë”, ka përfunduar Ademi.
Sa është besimi në gjyqësi sipas anketës së fundit?
Vetëm 4 për qind e të anketuarve i besojnë plotësisht gjyqësorit, kjo sipas anketës së fundit që IRI. Anketat e mëhershme tregonin se 8 për qind e qytetarëve të anketuar të Republikës së Maqedonisë së Veriut i besonin tërësisht gjyqësorit, për një vit ky besim ka shënuar ulje drastike. Në anketën në fjalë dukshëm është ulur besimi edhe në Prokurori, Polici, Sistemin shëndetësor, punën e Qeverisë, Arsimin.
Kjo tregon që besimi në gjyqësi dhe institucionet e drejtësisë është shqetësues se është shumë i ulët, e më shqetësuese se kaq është fakti se besimi nuk shkon në rritje vetëm në ulje e sipër. E kjo është dëshmuar që brenda vitit nga 8% ka rënë në 4%, e nuk dihet vitin e ardhshëm kjo përqindje ku do përfundojë.
Prandaj, për të ecur para Maqedonia e Veriut është e detyruar që krahas gjitha reformave tjera të bëj edhe reformat e duhura dhe shumë të nevojshme në sektorin e gjyqësisë, fillimisht duke e departizuar dhe lejuar që të funksionojë pa presione politike, në mënyrë që të ketë kuptim të plotë si pushtet korrigjues. /Zhurnal.mk
