Humbjet e energjisë elektrike në Haraçinë janë zyrtarisht nën 10% pas realizimit të suksesshëm të projektit të EVN Maqedoni. Kjo përqindje tregon që humbjet në rrjet janë vetëm teknike, që do të thotë se vjedhjet janë eliminuar plotësisht. Këto të dhëna u prezantuan dje në emisionin që kishte përgatitur Alsat, të cilin mund ta ndiqni në vijim https://www.youtube.com/watch?v=hmJjB2-pTAg
Falë bashkëpunimit të EVN, Ministrisë së Ekonimisë, MPB, komunës dhe prokurorisë, projekti përfundoi për kohë shumë të shkurtë. Defektet janë eliminuar, furnizimi është normalizuar, si dhe është mundësuar leximi në distancë të të dhënave mbi konsumin e energjisë elektrike. Rrjeti i tensionit të ulët tanimë është plotësisht i sigurt për konsumatorët.
“Në shtator të vitit 2022 kemi filluar me realizimin e një projekti të veçantë në fshatin Haraçinë. Janë përpunuar mbi 850 kabinete, janë zhvendosur mbi 2800 orëmatës dhe është instaluar rrjeti i tensionit të ulët prej 50 km” tha Petre Stankov, menaxher për projekte në EVN.
“Me mbështetjen e MPB-së kemi tejkaluar sfidat në fshat kur disa individ u përpoqën të na pengonin të kryenim punën tonë. Shumica e banorëve donin të ndalonin vjedhjet, ndërsa me vetë ndërprerjen e vjedhjeve pati përmirësim në rrjetin e distribuimit dhe me këtë arritëm ta furnizojmë këtë pjesë pa problem dhe banorët nuk kanë probleme me furnizimin e përditshëm”, tha Ardit Sadiku, udhëheqës i Qendrës Energo të Konsumatorëve “Vasil Glavinov”.
“Situata ka qenë paksa e vështirë duke pasur parasysh se ka kohë që nuk ka filluar procesi i investimeve për përmirësimin e rrjetit distributiv, që nënkupton edhe përmirësimin e shërbimeve të qytetarëve, veçanërisht në rajone të caktuara. Për këtë arsye Ministria e Ekonomisë, sipas kompetencave të saj, vendosi të luajë rolin e një ndërmjetësi aty ku ka mundësi” tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Që nga fillimi i projektit janë konstatuar 50 raste të vjedhjes së energjisë elektrike.
“Si për çdo lloj vepre, edhe për këtë vepër ka procedurë e cila para së gjithash duhet të përcaktojë faktet, provat, në mënyrë që praktikisht të procedohet nga prokuroria dhe gjykata. Në pjesën më të madhe të raportimeve, në numrin më të madh të rasteve, autorët e kësaj vepre identifikohen me sukses sepse ekziston dokumentacion përkatës, konstatim në vend të ngjarjes se ekziston qasje e paautorizuar në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike dhe në këtë mënyrë arrijmë shumë shpejt tek kryesit dhe më tej rasti procedohet në Prokurorinë Publike”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
“Sot jemi këtu për të deklaruar dhe demaskuar njëherë e përgjithmonë se Haraçina nuk është ashtu siç përshkruhet, se banorët e Haraçinës janë siç i ka hije një qytetari sot. Së bashku me ekipin tim dhe qytetarët arritëm rezultate të shkëlqyera, por më konkretisht edhe me kompaninë EVN. Prandaj kam kërkuar dhe vazhdoj të kërkoj ndihmë nga të gjitha institucionet për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Me përmirësimin e jetës së tyre, sigurisht që nuk do të kemi parregullsi nga ana e qytetarëve”, tha kryetari i Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi.
Kostot e mbulimit të humbjeve të energjisë elektrike në përputhje me metodologjinë e Komisionit Rregullator për Energjetikë analizohen dhe pranohen pjesërisht. Pjesa tjetër bie në barë të kompanisë.
“Sipas metodologjisë, në qoftë se KRRE do të mbulonte plotësisht kostot e humbjeve të energjisë elektrike, do të thotë se barra e mbulimit të kostove do të binte mbi konstumatorët. Në këtë rast, konsumatorët që vjedhin energjinë elektrike nuk e paguajnë këtë energji, por ajo do të ndahet mes të gjithë konsumatorëve përreth që do të paguajnë edhe për të tjerët. Nga ana tjetër, në qoftë se RKE nuk do të pranonte kostot për mbulimin e humbjeve, kjo do të krijonte problem në likuiditetin e operatorëve dhe në të njëjtën kohë do të pamundësonte investimet në rrjet, gjë që nënkupton që do të reflektohet negativisht tek konsumatorët” deklaroi zëdhënësja e EVN Maqedoni, Vjosa Selimi.
Pas përfundimit të suksesshëm të investimeve në rrjetin në Haraçinë, EVN vazhdon me këtë lloj projektesh edhe në vendbanime të tjera.