4.8 C
Skopje
E martë, 30 Dhjetor, 2025

Propozim ligje në sekondat e fundit, Kuvendi detyrohet të punojë pa orar

Derisa kreu i Kuvendit Afrim Gashi paralajmëroi se Kuvendi nuk duhet të jetë makineri votimi dhe se do të vendoset kalendar i seancave, mbrëmë deputetët qëndruan deri në orët e vona për të kaluar ligje që u dorëzuan në sekonda të fundit. Meqenëse ligjet e propozuara duhet të shqyrtohen së paku pesë orë pas dorëzimit, Kuvendi vendosi që seancën e 79-të ta vazhdojnë në mbrëmje. I pari i Kuvendit Gashi pak ditë më parë në një intervistë për MIA, theksoi se mungon mirëkuptimi ndër institucional dhe gjithnjë institucionet kërkojnë sjellje të shpejta të ligjeve.

“Fillimisht ne në janar planifikojmë të sjellim një kalendar të aktiviteteve dhe seancave plenare ku do të komunikojmë me Qeverinë dhe do të dihet saktë se cilët muaj e cilët ditë ne saktë planifikojmë seanca plenare që nëse janë ekspeditivë, do ta dinë saktë nëse duan dhe kur duan të sjellin ligj, do ta dinë se kur ta sjellin. Institucionet mendojnë se ne jemi makineri votimi dhe kjo qasje duhet të ndryshojë”, tha Afrim Gashi – Kryetar i Kuvendit.

Por në fakt më shumë se gjysma e propozim ligjeve që dorëzohen në Kuvend vijnë nga grupet parlamentare e jo nga institucionet e pushtetit qendror. Vetëm dje në seancën e 79-të, në rend dite u shtuan katër propozim ligje që nuk ishin në plan e kjo madje u bë nga vet deputetët e shumicës parlamentare. Deputetët nga ZNAM, nga VLEN dhe VMRO-DPMNE, propozuan ndryshime në ligjin për mbikëqyrje inspektuese, ligjin për punësim dhe sigurim në rast pa punësie, ligj për tregti dhe ligj për sigurim pensional e invalidor, të gjitha këto në procedurë të shkurtuar.

Se Kuvendi me të vërtetë është shndërruar në makineri votimi tregojnë edhe numrat e ligjeve të miratuara gjatë këtij viti dhe gjatë këtij mandati. Nëse gjatë mandatit të kaluar 2020-2024 janë miratuar 506 ligje, gjatë këtij mandati prej 18 muajsh janë miratuar madje 411 ligje në 79 seanca. Siç ka njoftuar kreu i Kuvendit Afrim Gashi, kjo përbërje vetëm në vitin 2025 ka mbajtur 53 seanca plenare dhe ka miratuar 227 ligje. Ajo që brengosë është se mbi gjysma e propozim ligjeve janë miratuar me procedurë të shkurtuar. /Alsat.mk

Të ngjajshme

Të fundit