Protesta e paralajmëruar nga Ali Ahmeti për 13 dhjetorin, e cila do të mbahet në Shkup për “lirimin e krerëve të UÇK-së në Hagë”, ka hapur një debat të gjerë politik dhe publik.
Shkruan POPULLI.mk
Pyetja thelbësore që del është se a bëhet fjalë për një protestë të sinqertë për mbrojtjen e ish-luftëtarëve të UÇK-së apo për një tentativë të hapur për ringritjen e BDI-së pas disfatës zgjedhore?
Krerët e UÇK-së ndodhen në Hagë tashmë pesë vite. Dhe gjatë gjithë kësaj kohe, Ali Ahmeti ka qenë pjesë e pushtetit, madje një nga figurat qendrore. Asnjëherë nuk u organizua një protestë e këtij niveli, asnjëherë nuk u mbajt një tubim masiv, asnjëherë nuk u ngrit një presion i drejtpërdrejtë politik ndaj partnerëve ndërkombëtarë. Pse pikërisht tani, në opozitë? A kanë ndryshuar rrethanat, apo vetëm interesat?
Shumë analistë shohin se kjo protestë është në fakt një mjet politik për të ringjallur moralin e anëtarësisë dhe për të testuar terrenin pas humbjeve të rënda në zgjedhjet e fundit. BDI, e cila për dy dekada mbante institucionet më kyçe në vend, sot gjendet në një pozitë që nuk e ka njohur më herët (përveç në periudhën 2006-08), larg pushtetit dhe larg ndikimit të dikurshëm. Përballë këtij realiteti, protesta e 13 dhjetorit shihet si përpjekje për të rikrijuar narrativën historike të UÇK-së dhe për të rikthyer legjitimitetin e humbur.
Përpos kësaj, mbetet të shihet kush do t’i përgjigjet thirrjes së Ali Ahmetit. A do të jenë aty qytetarët që e mbështesin çështjen e krerëve të UÇK-së, apo vetëm strukturat e partisë që kërkojnë të ringrihen? Nëse protesta është vërtet për kauzën e UÇK-së, pse nuk u organizua edhe për rastet e tjera të montuara në Maqedoninë e Veriut gjatë kohës kur BDI ishte pjesë e Qeverisë? Pse nuk u mbajtën protesta për “Monstrën”, “Almirin”, “Lagjen e Trimave”, “Alfa”-n apo dhjetëra raste të tjera që u denoncuan publikisht si të fabrikura?
Pikërisht këto pyetje ngrenë dyshime të forta se protesta e 13 dhjetorit nuk është vetëm për Hagën, por edhe për të rikthyer partinë në skenë. A do t’ia dalë? Këtë do ta tregojë numri i pjesëmarrësve dhe reagimi i opinionit publik.
© POPULLI.mk
