5.8 C
Skopje
E enjte, 6 Shkurt, 2025

Protestat në Serbi vazhdojnë, dorëheqja e Vuçeviçit nuk i qetëson qytetarët

Dorëheqja e kryeministrit Millosh Vuçeviç, rreth dhjetë ditë më parë, duket se nuk i kënaq protestuesit, të cilët dalin në rrugë pothuajse çdo ditë, duke denoncuar korrupsionin dhe keqmenaxhimin e qeverisë.

Protestat antiqeveritare vazhdojnë në Serbi me intensitet dhe vrull të pandërprerë, pas vdekjes së 15 personave kur një strehë e sapondërtuar u shemb në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor. Dorëheqja e kryeministrit Millosh Vuçeviç, rreth dhjetë ditë më parë, duket se nuk i kënaq protestuesit, të cilët dalin në rrugë pothuajse çdo ditë, duke denoncuar korrupsionin dhe keqmenaxhimin e qeverisë.

Protestat antiqeveritare udhëhiqen nga studentët, të cilëve iu bashkuan mësues dhe fermerë në një demonstratë të martën në qytetin e Kragujevacit, qyteti i katërt më i populluar i Serbisë. Mijëra protestues mbanin pankarta, midis tyre është Maria Greno, e cila i tha Reuters TV: “E vetmja mënyrë për të qetësuar situatën është që qeveria të tërhiqet hap pas hapi. Ai nuk ka zgjidhje tjetër sepse presidenti Vuçiç po përballet me një situatë të paprecedentë: ai është përballur me njerëzit që janë ngritur”.

Protestat filluan menjëherë pas shembjes së strehës në Novi Sad. Megjithatë, në tre muajt e fundit ato janë rritur dhe janë përhapur në të gjithë vendin.

Protestuesi Branko Jovanoviç shprehet: “Në 12-13 vitet e fundit, shumë çështje kanë lindur me pushtetin qendror. Megjithatë, është mashtruese të presësh një zgjidhje të lehtë dhe të shpejtë. Do të duhet kohë për të trajtuar fenomene si korrupsioni dhe mungesa e institucioneve. Megjithatë, ne do të jemi këmbëngulës dhe të durueshëm”.

Deri më sot, zyra e prokurorit serb ka paditur 13 persona për tragjedinë e Novi Sadit. Si protestuesit ashtu edhe opozita fajësojnë korrupsionin dhe keqmenaxhimin e qeverisë së presidentit Aleksandar Vuçiç. Ata ankohen se për shkak të ryshfetit, ndërtimi i strehimores në stacionin e Novi Sadit është rregulluar pa mbikëqyrje të nevojshme dhe me mospërfillje të rregullave të parapara të sigurisë.

Me vazhdimin e protestave shtohet presioni ndaj presidentit serb. Të mërkurën, qindra pensionistë u mblodhën në Beograd në solidaritet me studentët, mes tyre ishte edhe pensionistja Dusanka Novakoviç, e cila tha se pensionistët i mbështesin studentët sepse në Serbi ligji dhe rregullat ekzistojnë në letër dhe nuk zbatohen.

 

 

Burimi / Dosja.al

Të ngjajshme

Të fundit