35.8 C
Skopje
E diel, 21 Korrik, 2024

Pse konflikti mes Edi Ramës e Albin Kurtit është parimor e jo personal?

Shkruan: Enver Bytyçi

Shumë prej analistëve, opinionistëve dhe politikanëve që i shohim në ekrane e trajtojnë konfliktin tashmë të njohur, Rama-Kurti, si një çeshtje personale midis tyre për shkak të egos e prirjes për të dominuar njëri-tjetrin. Është e vërtetë se karakteri, formimi, cilësitë, veset, virtytet e liderëve politikë luajnë rol në marrëdhënien me homologët, partnerët, aleatët, kolegët e vartësit e tyre. Në këtë kuptim, studimi dhe informacioni për këto karaktere është tashmë pjesë shumë e rëndësishme edhe e veprimtarive agjenturore e të spiunazhit. Sepse zbulimi i këtij dimensioni favorizon gjetjen e dobësive të kundërshtarit dhe intervenimin për neutralizimin ose korruptimin e tij. Me kryeministrin e Shqipërisë ka ndodhur pikërisht kjo që theksova më lart. Ai është tashmë peng i Serbisë për shkak se Beogradi dhe Aleksandër Vuçiq kanë shfrytëzuar të gjitha dobësitë e kreut të ekzekutivit shqiptar për ta vënë atë në shërbimin e tyre. Dhe ia kanë arritur, për fat të keq!

Por nuk ka ndodhur e njëjta gjë me kryeministrin e Kosovës. Sjelljet dhe veprimet e tij deri më sot në mbrojtje të territorit dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës, dëshmojnë se zoti Kurti nuk është peng i korrupsionit, i implikimeve në veprimtari mafioze e kriminale, as edhe peng i Serbisë dhe armiqve të tjerë të Kosovës. Dhe në fakt sjellja e Albin Kurtit është e kundërta e sjelljeve që shohim te Edi Rama. Por ne, për të provuar hipotezën, nëse konflikti Rama-Kurti është personal apo jo, do të ndalemi te krahasimi i qëndrimeve, sjelljes politike dhe konvencionit në raportet me Serbinë, dialogun dhe ngjarjet që kanë ndodhur në Kosovë e sidomos në veriun e saj këto vitet e fundit.

1. Kryeministri shqiptar, së bashku me presidentin e Serbisë, pas një marrëveshjeje të mëparshme në Nish, gjithnjë sipas zonjës Biserko, nisën në vitin 2017-2020 aksionin diplomatik dhe politik për zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi përmes ndryshimit të kufijve dhe ndarjes së Kosovës. Në këtë aksion tërhoqën edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Kjo temë është e njohur tashmë. Ndërsa kryeministri Kurti, asokohe në opozitë, u shpreh publikisht kundër këtij projekti. Pra që në fillim konflikti nisi si pozicion pro dhe kundër kërkesës së vazhdueshme të Serbisë për ndarjen e Kosovës si kusht i paqes dhe bashkëjetesës midis dy popujve. Them midis dy popujve, sepse Kosova pas ndarjes nuk do të ishte më shtet i pavarur. Pjesën e mbetur do ta merrte Shqipëria. Në këtë konflikt midis dy kryeministrave shqiptarë nuk dallohet dot asnjë nuancë e sjelljes së bazuar në karakter, por në parime dhe të drejtën ose të padrejtën.

2. Kur Albin Kurti u zgjodh kryeministër në qeverisjen e tij të parë, pas disa muajsh apo një viti, ai u rrëzua nga pushteti. Shkak u bë fakti se ishte kundër të firmoste marrëveshjen me Serbinë sipas projektit Rama-Vuçiç-Thaçi për ndarjen e Kosovës. Ky projekt u mbështet në këtë kohë edhe nga i pushtetshmi i administratës së Trump, Richard Grenell. Ky i fundit aktivizoi Thaçin, Ramën dhe miqtë e tyre në LDK dhe e rrëzuan qeverinë Kurti 1. Të gjithë e dimë se ajo qeveri u rrëzua për shkak të kundërshtisë së kryeministrit për të shkuar së bashku me presidentin në Uashington për firmosjen e marrëveshjes në fjalë dhe siç thoshte Thaçi “për ta hequr qafe Serbinë njëherë e mirë nga Kosova”! Pra nuk kishte asgjë personale as në këtë konflikt të njohur tashmë, të cilin e vlerësuan qytetarët e Kosovës dhe votuan sërishmi pas disa muajsh me mbi 50 për qind pro zotit Kurti e koalicionit të tij.

3. Në qeverisjen e këtyre tri viteve sërishmi kryeministri Kurti u desh të përballej me avokatinë e kryeministrit të Shqipërisë për Serbinë, aq sa gazetari i FAZ, Martens, thotë se “Kryeministri Rama është kryeministri më i mirë shqiptar për Serbinë, që nga koha e Pashiqit”(1913-1926 kryeministër)!

Asnjëherë qeveria e Kosovës nuk pati mbështetjen e qeverisë së Tiranës në këto tri vite sa i përket qëndrimeve të saj në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës! Gjithmonë kryeministri i Shqipërisë u përpoq ose të mbajë anën e Serbisë, ose të qëndrojë neutral, në komoditetin e Joseph Borrell. Aq sa në qershor 2023 anulloi 15 orë para se të mblidhej takimin e përbashkët të të dy qeverive në Gjakovë. Ndërsa në fund të shtatorit 2023 zhvleftësoi aksionin perfekt të policisë së Kosovës për asgjësimin e grupit terrorist të Banjskës, kur tha se “Veriu i Kosovës është tokë e askujt”! Edhe në këtë rast dallohet qartë se konflikti midis Ramës dhe Kurtit është për shkak të qëndrimeve të kundërta parimore, pro dhe kundër integritetit territorial të Kosovës!

4. Ndërsa qeveria, presidentja Osmani dhe institucionet e Kosovës kërkojnë me ngulm që Serbia të mbajë përgjegjësi dhe të kërkojë ndjesë për genocidin që shkaktoi në fund të shekullit të kaluar kundër shqiptarëve, kryeministri Rama e quan këtë genocid produkt “të një rrëmuje ballkanike”, ku të gjitha palët kanë përgjegjësi! Kjo tezë është kryekëput e njëjtë me tezën serbe se “Lufta në Kosovë ishte një luftë civile me viktima të dyanshme”!

Përpjekja për t’i ikur përgjegjësisë së genocidit të tmerrshëm në Kosovë nga ana e Serbisë ka gjet kësisoj përkrahjen e vazhdueshme të kryeministrit të Shqipërisë “në emër të së ardhmes”! Por ne e dimë se as e sotmja as e ardhmja, madje as e shkuara nuk kanë asnjë rëndësi për kryeministrin shqiptar. E vetmja gjë e rëndësishme është paraja dhe pushteti! Edhe në këtë rast nuk gjendet asnjë shenjë se midis Kurtit dhe Ramës ka e mund të ketë diçka personale.

Për ta provuar tezën që thashë më lart, mund të përmendim pa fund fakte, prova dhe argumente. Por këto mjaftojnë për këtë qëllim! Prandaj dhe i duhet thënë mjaft teorisë, sipas së cilës, dy kryeministrat shqiptarë luftojnë për dominim e ego. Së paku Albin Kurti është i pozicionuar qartë kundër bashkëpunimit Rama-Vuçiq kundër Kosovës! Kjo mjafton!

Të ngjajshme

Të fundit