17.8 C
Skopje
E hënë, 20 Maj, 2024

Punonjësit e Postës së RMV-së protestojnë para Qeverisë

Faredin Mustafa është vetëm njëri nga 2200 të punësuarit në Postën e Maqedonisë së Veriut që për shkak të vonesave të pagave, për të dytën ditë me radhë po merr pjesë në protestën paralajmëruese të punonjësve. Ai kujdeset për katër anëtarë të familjes dhe thekson se nga paga e tij, mes tjerash varet sigurimi i produkteve ushqimore për familjen dhe pagesa e çerdheve për fëmijët. Nëse nuk gjendet zgjidhje, thotë se do të detyrohet të kërkojë një tjetër punë.

“Unë jam vetë i katërti, katër anëtarë i kam në shtëpi dhe kjo paraqet mospagesën e çerdheve për fëmijët, me ble për në shtëpi gjëra ushqimore gjithçka.. Mund të vazhdojmë deri në fund të muajit dhe me lënë punën, s’kemi ç’bëjmë tjetër. Zgjidhje patjetër të gjendet, anëtarët në shtëpi presin prej nesh“, tha Faredin Mustafa, punonjës.

Kryetari i Sindikatës së Postës së Maqedonisë thotë se pjesë e kësaj proteste paralajmëruese janë të gjithë punonjësit e postës në të gjitha qytetet e shtetit. Ai tha se nëse deri të martën nuk i marrin pagat e muajit shtator, do të protestojnë para Qeverisë.

“Nuk kemi paga në këtë krizë kur rriten çmimet, punonjësit tanë nuk mund të paguajnë detyrimet, të sigurojmë bukën, të paguajmë kredite apo punë të tjera. Nuk mund as të vijmë në punë… Nuk kërkojmë vetëm të na japin garanci që secilin muaj të marrim pagë të rregullt, por të na ofrojnë strategjinë si do të dalim ne nga kjo krizë, se si në secilin muaj të ardhëm, para se gjithash do të kemi punë dhe do të sigurohet paga për të gjithë të punësuarit. Pasi bëhet fjalë për 2200 punonjës, 2200 familje”, theksoi Boro Veligdenov, kryetar i Sindikatës së Postës së Maqedonisë.

Lidhja e sindikatave kërkon që kryeministri të obligojë të gjitha ministritë dhe institucionet shtetërore që të shfrytëzojnë shërbimet e Postës së Maqedonisë, ndërsa i bëjnë thirrje ekipit menaxherial të postës, që të mbështesë kërkesën e tyre.

“Kryeministri t’i urdhërojë të gjithë ministrat që t’i shfrytëzojnë shërbimet e postave të Maqedonisë, sepse nuk mund të bëhen tenderë dhe të angazhohen të ashtuquajtura, posta private, ndërsa posta kombëtare që shteti e ka si servis të saj të tejkalohet. Zgjidhja është që shteti t’i shfrytëzojë resurset e tij”, u shpreh Darko Dimovski, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.

Nga ekipi menaxherial i Postës, akoma nuk ka asnjë qëndrim lidhur me protestën e punonjësve. /Alsat/

Të ngjajshme

Të fundit