Vazhdojnë përplasjet politike për atë nëse standardi ekonomik i qytetarëve ka qenë më i mirë në kohën e qeverisjes së LSDM-së apo tani të VMRO-DPMNE-së. Nga LSDM vazhdojnë të akuzojnë se gjithçka po shtrenjtohet e qytetarëve u thuhet se gjithçka po shkon ëmbël si “mjaltë e qumësht”. Zëdhënësja e kësaj partie Bogdana Kuzeska, thotë se të gjitha shtetet e rajonit kanë ndërmarrë masa për amortizimin e inflacionit, e vetëm Maqedonia nuk ka asnjë plan.
“Shporta sindikale është shtrenjtuar për pothuajse 5000 denarë vetëm për një vit. Njëkohësisht, paga minimale u rrit për vetëm 1800 denarë. Perimet u shtrenjtuan për 63,3% e frutat për 33% vetëm për një vit. Inflacioni është 4,8% dhe i gëlltitë të ardhurat e qytetarëve. Paga reale në qershor u rrit për vetëm 3,8% derisa me masat e LSDM-së, rritja ishte mbi 11%”, tha Bogdana Kuzeska – LSDM.
Nga ana tjetër kryeministri Hristijan Mickoski thotë se pikërisht qeverisja e LSDM-së e ka sjellë shtetin në këtë gjendje, siç e quan, katastrofale. Nëse krahasojmë parametrat e rritjes reale të pagave në periudhën kur LSDM dhe BDI ishin në pushtet dhe tani kur VMRO-DPMNE është në pushtet, dallimi është tejet i madh, thotë Mickoski.
“Në periudhën qershor 2017 – maj 2024 kur rritja reale e pagës neto që e marrin të punësuarit në Maqedoni është rreth 3,5% dhe ky një vit kur në Qeveri është VMRO-DPMNE dhe koalicioni, gjegjësisht qershor 2024 – qershor 2025 kur rritja reale e pagës neto është 6,5%”, u shpreh Hristijan Mickoski – kryeministër.
Kërkesat e partisë opozitare maqedonase janë që paga minimale të rritet në 500 euro, të hiqet tërësisht TVSH-ja për ushqimet dhe të rriten pagat në çdo sektor. Të gjitha këto paraprakisht nuk u patën pranuar në Kuvend por LSDM paralajmëron se do t’i dorëzojnë përsëri si zgjidhje ligjore./ Alsat.mk
