2.8 C
Skopje
E shtunë, 21 Mars, 2026

Qeveria e re në Kosovë – VV vazhdon negociatat me deputetë të pavarur

Në kuadër të diskutimeve rreth formimit të Qeverisë së re, Kurti fillimisht u takua me kryetaren e Partisë së Re Demokratike Emilija Rexhepi dhe më pas me kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq nga të cilët u tha se siguroi votat për qeverinë e re.

“Kemi filluar takimet me zyrtare me krerët  e partive politike. Paradite ka qenë Emilija Rexhepi dhe Nenad Rashiq do të vazhdojmë edhe më të tjerët”, tha për RTV21 Artan Abrashi.

Ndërkohë përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje thanë se janë në diskutim edhe me deputetë të ndryshëm të Kuvendit dhe se tashmë i kanë siguruar numrat për formimin e qeverisë.

Deputeti i zgjedhur i VV-së, Artan Abrashi nuk bëri të ditur se me cilët deputetë  janë duke biseduar por tha për RTV21 se shumë shpejtë do t’a formojnë qeverinë e re.

“Krejt çka mund të them tani është që gjendja është e mirë dhe urojmë dhe besojmë që shumë shpejtë do t’i formojmë institucionet, Qeverinë e re. Nuk është se mund të them diçka në këtë moment lidhur me bisedimet me partitë e tjera por e di që numrat që ne synojmë i kemi. Ne jemi të hapur për  bashkëpunim me gjithë ata që ia donë të mirën institucioneve të Kosovës, me gjithë ata dhe kanë një qasje konstruktive karshi proceseve politike por se çka mund them tani për tani është se  jemi në bisedim vetëm me deputetë të Kuvendit e ata që ndajnë vizionin e njëjtë me ne, që duan stabilitetin e vendit dhe që kanë qasje konstruktive”, tha ai.

Partitë opozitare ndërkaq vazhdojnë të jenë të palëkundura në qendrimin e tyre për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku në emisionin “Click” të RTV21 tha se me Vetëvendosjen kanë dallime të thella duke shtuar se deri më tani nuk kanë pasur asnjë takim me VV-në.

”As nuk kemi kërkuar ne as ata….Nuk duam t’i fyejmë qytetarët që e kanë votuar VV, por kemi dallime shumë të thella dhe nuk e shohim asnjë mundësi të qeverisim së bashku, nuk qeveriset për të marrë një pozitë, qeveriset për të udhëhequr një projekt një platformë ne nuk hymë në qeveri as për ta bërë dikë kryeministër e as ministër, në qeverisjet hyhet nëse beson në një projekt të përbashkët zhvillimor dhe është e pa mundur që PDK të dakordohet me VV për një program zhvillimor, por le të vazhdojnë ata, i kanë  mundësitë tjera nëse nuk e bëjnë qeverinë për çka ne jemi të sigurt se në rrethanat që jemi nuk munden, dhe le të vijë radha te ne”, tha Çitaku.

Për politologun Albinot Maloku, vendi ka nevojë për një qeveri stabile dhe për këtë sipas tij opsioni me i mirë do të ishte një koalicioni mes VV-së dhe PDK-së.

“Vendi dhe qytetarët nuk kanë nevojë për një qeveri të kontrabanduar”, tha Maloku.

Ndryshe nga partitë e tjera opozitare, Nisma Socialdemokrate nuk ka qenë plotësisht e qartë për bashkëpunimin e mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje.

 

 

Burimi/RTV21

Të ngjajshme

Të fundit