Meksika ka dislokuar mijëra ushtarë për të forcuar sigurinë, ka bërë të ditur ministri i Sigurisë në vend, pas shpërthimit të një vale dhune që erdhi pas vdekjes së bosit të drogës “El Mencho”.
Sekretari i Mbrojtjes, Ricardo Trevilla, tha se 2.500 ushtarë shtesë janë dërguar të hënën në pjesën perëndimore të Meksikës, ndërsa qeveria bëri të ditur se në total rreth 9.500 trupa janë dislokuar që nga e diela.
Të paktën 20 shtete kanë përjetuar trazira që kur Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho” vdiq në paraburgim të dielën, pak pasi ishte kapur nga forcat speciale meksikane në shtetin Jalisco.
Karteli Jalisco New Generation (CJNG) është një nga organizatat kriminale më të frikshme në Meksikë dhe lideri i tij ishte personi më i kërkuar në vend.
Të paktën 25 anëtarë të Gardës Kombëtare të Meksikës kanë humbur jetën që nga shpërthimi i dhunës, ka thënë ministri i Sigurisë.
Sipas Trevillas, El Mencho u kap pasi forcat e sigurisë gjurmuan të dashurën e tij me të cilën ai ishte takuar.
Bosi i drogës u plagos rëndë gjatë një përleshjeje me armë mes truprojave të tij dhe komandove ushtarake të angazhuara për kapjen e tij, dhe vdiq gjatë transportimit nga qyteti Tapalpa drejt kryeqytetit, Mecixo City.
Të paktën gjashtë nga rojet e sigurisë së El Menchos u vranë gjatë operacionit, ndërsa tre pjesëtarë të ushtrisë meksikane u plagosen, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes.
Pas përhapjes së lajmit për vdekjen e El Menchos, anëtarët e kartelit të tij nisën sulme në shumë qytete dhe zona ku CJNG-ja është aktive.
