Se jeta në Maqedoninë e Veriut dita ditës po vështirësohet më shumë kjo po dëshmohet në çdo matje të opinionit publik. Qytetarët kanë humbur shpresën pothuajse në gjitha institucionet e vendit, e ky nuk është mendim koti, por rezultat i bazuar në hulumtimin e bërë në opinion publik. Për ironi qytetarët besimin më të madh e kanë në bashkësitë fetare, që edhe njëherë vuloset që kanë larë duart nga institucionet e vendit, shpresën e vetme e kanë me lutjet drejt qiellit. Në një vend ku besimi në institucione sa shkon e bie, e ardhmja është vështirë e planifikueshme. Besimi më ulët është në gjyqësi, institucioni më me peshë në vend që vendos drejtësi. Kuvendi dhe Qeveria gëzojnë poashtu besim shumë të ulët, pra i bie që edhe atyre që qytetarët vet i zgjedhin nuk u besojnë, por i zgjedhin sepse janë të detyruar e të kushtëzuar me ato vende pune, që i bie nuk ka zgjedhje por ka imponim. Partitë politike si grupime njerëzish që kanë qëllime të përbashkëta për mirëqenien sociale-ekonomike kolektive nuk gëzojnë besimin e mjaftueshëm, pra as partive politike qytetarët nuk u besojnë. Shëndetësia e arsimi mos më keq, nga anketat e kaluara është dëshmuar se mbi 60% e qytetarëve mendojnë që nuk ka cilësi në arsim, si dhe një pjesë e madhe besojnë qe në vend nuk ofrohen shërbime cilësore shëndetësore. Në një vend me gjyqësi të shkërmoqur, Kuvend e Qeveri me besim të ulët, parti politike që nuk u beson askush, arsim jo cilësor, shëndetësi të mjerueshme, shpresa për një të ardhme të mirë është më shumë çështje imagjinate sesa çështje reale, shkruan Zhurnal.
Qytetarët u janë rikthyer besimit fetar sepse janë zhgënjyer nga institucionet tjera –
Besim më të madh mes qytetarëve kanë bashkësitë fetare, (5,1), ushtria, (5,1) dhe policia (4,3), tregon hulumtimi i fundit, i përgatitur në kuadër të “Programit për përkrahje parlamentare”, që e zbatojnë Instituti demokratik kombëtar (NDI), Instituti për demokraci “Societas Civilis” – Shkup (IDSCS), Qendra për menaxhim me ndryshime (QMN), me përkrahje financiare nga Qeveria e Zvicrës.
Raporti i shkurtit nga hulumtimi i sivjemë për perceptimin publik për punën e Kuvendit, cilësinë e jetesës, çështjet politike dhe besimin në institucionet në Maqedoninë e Veriut, përmban informata që bazohen në qëndrimet e qytetarëve, ku ata e dhanë vlerësimin e një sërë pyetjeve në shkallën prej një deri 10.
Lidhur me institucionet më të rëndësishme në sistemin politik, presidenti i shtetit ka besimin më të madh – 3,6, ndërsa vlerësim më të ulët ka gjyqësia me 2,7. Kuvendi (3,4) dhe Qeveria (3,3) janë vlerësuar pothuaj njëjtë. Qytetarët kanë besim më të vogël edhe në prokurorinë publike (2,7) dhe në partitë politike (3:0). Në përgjithësi, mund të vërehet besim i ulët tek të gjithë faktorët shoqërorë dhe institucionet shtetërore.
Hulumtimi tregon se më shumë se dy të tretat vlerësojnë se jeta në shtet po lëviz në drejtim të gabuar (69%). Pak më shumë se gjysma nga të anketuarit (52%) pajtohen se ndryshimi i modelit zgjedhor mund të kontribuojë drejt zvogëlimit të varshmërisë së deputetëve nga liderët partiakë.
Në pyetjen “Nëse zgjedhjet mbahen javën e ardhshme për cilën parti do të votonin?”, më shumë se gjysma nga të anketuarit u përgjigjën se nuk do të votonin ose nuk dinë se për kë do të votonin. Për VMRO-DPMNE-në do të votonin 17% nga të anketuarit, për LSDM-në 12%, BDI-ja do të fitonte përkrahje prej 8% nga qytetarët e anketuar, 4% deklaruan se do të votonin për Të Majtën, 3% për Aleancën për Shqiptarët, ndërsa 1% përkrahje ka Lëvizja Besa. Anketa në terren u zbatua në periudhën 22 shkurt – 9 mars të vitit 2023 tek 1.002 të anketuar mbi 18-vjeçarë në tërë territorin e shtetit, përmes metodës fytyrë në fytyrë.
Arsim jo cilësor, shëndetësi katastrofale –
Cilësia në arsim vazhdon të mbetet një nga sfidat më të mëdha që po e tangon arsimin sot, shifra shqetësuese dalin kur bëhet matja e opinionit publik mbi këtë temë. Së fundmi, anketa e realizuar për Detektor nga Instituti për Hulumtime Politike në Shkup ka rezultuar që gati 60% e të anketuarve të ndajnë mendimin që cilësia në arsim mungon. Madje, nëse krahasohen rezultatet e së njëjtës anketë të realizuar katër vite më parë, rezultatet janë edhe më të ulëta, shenjë që tregon se çdo vit e më shumë përkeqësohet gjendja në arsim sipas qytetarëve.
Ndërkaq, ajo që është tregues i saktë mbi gjendjen e cilësisë në arsim sipas anketës vërehet që sa më i lartë niveli i arsimimit të të anketuarve aq më të ulëta vlerësimet për cilësinë në arsim, kjo flet për objektivitetin e atyre që janë anketuar. Mes tjerash, shkaqet për mungesën e cilësisë në arsim janë vlerësuar të jenë të ndryshme, duke filluar nga stafi jo adekuat, tekstet mësimore, kushtet e këqija infrastrukturore në shkolla e të tjera.
Ministria e Shëndetësisë vazhdon të mbetet një ndër institucionet më të rëndësishme në vend, por që në krye të së cilës vendosen persona që pak i kushtojnë rëndësi këtij institucioni. Qytetarët kanë nevojë të dukshme që të kenë siguri shëndetësore, që MSH të kujdeset në mënyrë të angazhuar për përmirësim të cilësisë për shërbimet që ofrohen në spitalet e vendit.
Dysh i fortë ose 2,36 është nota mesatare që qytetarët e kanë dhënë në shkallën 1 deri në 5 për cilësinë e kujdesit shëndetësor publik, sipas anketës së fundit të opinionit publik për Detektor, të realizuar nga Instituti për Hulumtime Politike në Shkup. Vlerësimi i qytetarëve për cilësinë në shëndetësi është shumë më i ulët krahasuar me katër vite më parë, prandaj qytetarët janë të pakënaqur me këto shërbime që sot ofrohen. Furnizimi me barna, infrastruktura, mungesa e mjekëve janë problematikat kryesore me të cilat përballet sektori i shëndetësisë.
Prandaj, duke marrë në konsideratë këto të dhëna lirshëm mund të konstatohet se qytetarët kanë vendosur që të mos shpresojnë më. Dhe, secili po kërkon rrugë apo alternativë shpëtimi nga ky shtet ku bëhet terrorizimi i të ardhmes. Të rinjtë kanë ndarë mendjen, derisa të presin të bëhet mirë në këtë vend po shpërngulen në vendet veçse është mirë. Mungesa e përgjegjësisë, mos funksionimi i ligjit, krijon hapësirë për çfardo keqpërdorimi e padrejtësie të ndodhë e askush për asgjë mos të jep llogari. E kjo krejt në heshtje nuk kalon pasi zhurma më e madhe e kësaj dëgjohet nga largimi i qytetarëve prej vendit, me ikje pa kthim. /Zhurnal.mk
