Kryeministri Edi Rama ka folur në një intervistë për Euronews Serbia lidhur me bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet me Serbinë dhe progresin e Malit të Zi në rrugën e tij evropiane.
Gjatë intervistës, Rama ka komentuar bashkëpunimin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç për të cilin tha se është gjithmonë një partner i vështirë.
Ndër të tjera ka folur edhe për idenë e “Ballkanit të Hapur”, ku u shpreh se u cilësua si “ide e tmerrshme”, vetëm se ai dhe Vuçiç ishin pas saj.
“Ishte një ide e tmerrshme vetëm për një arsye: se unë dhe Vuçiçi ishim pas saj. Nëse do të kishit marrë emrat tanë dhe do të kishit vendosur, le të themi, nuk e di, pesë emra të rinj – do të kishte qenë një ide e shkëlqyer. Kështu është me gjithçka në Ballkan”, tha Rama.
Kreu i qeverisë vlerësoi dhe progresin e Malit të Zi në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
“Mali i Zi, urime për ta, kanë qenë të jashtëzakonshëm në mënyrën se si e kanë transformuar veten – nga një anije kontrabandiste në nëndetësen e verdhë që të gjithë e duan. E respektoj këtë. Ata kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm, por kjo nuk është e mjaftueshme”, tha ai.
Rama shtoi se Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian kanë nevojë sot për njëri-tjetrin.
“Mendoj se sot Evropa ka nevojë për ne aq sa ne kemi nevojë për Evropën”, përfundoi ai. /CNA




