Kryeministri Edi Rama thotë se është krenar për mënyrën se si administrata shqiptare është përballur me ekspertët e Bashkimit Europian në procesin e negociatave të anëtarësimit. Në podcastin e tij të radhës ku kishte ftuar 3 zëvendësministra dhe një ekspert në Kryeministri, të gjithë të kthyer nga jashtë vendit, Rama rrëfeu stresin e fillimit të procesit “screening”.
“Pa diskutim që administrata ka hijet e veta, se është komplet e pandershme që ne ta fshehim këtë, por unë vetë personalisht kam pasur më shumë stres nga hijet e administratës. Kjo është përmbysur komplet, është bërë procesi screening ku bëhet gjithë diagnoza e shtetit shqiptar. Janë 1 mijë vetë këtej dhe andej që ulen përballë njëri-tjetrit me 36 grupe dhe që i hyjnë deri në qelizë shtetit shqiptar”
Por më pas kreu i qeverisë tha se ekipi shqiptar ishte konsideruar surprizë në Bruksel.
“Papritur filloi një tjetër këngë, ekipi im më thoshte: po ecim mirë. Kryeministri i Holandës më tha se po dëgjoj fjalë shumë të mira për ekipin shqiptar, mbresat në Bruksel janë shumë të forta. Kryeministri i Danimarkës: Çfarë ndodh me administratën tuaj? Kam parë këto të Ministrisë së Jashtme për pjesën e proceseve që duan të hyjnë dhe jeni on top. Pastaj Kryeministri i Spanjës”.
Shqipëria çeli para pak ditësh grup-kapitullin e dytë të negociatave me Bashkimin Europian.
Burimi / Tv Klan