-3.2 C
Skopje
E diel, 10 Dhjetor, 2023

Rama: Lajm i pavërtetë përjashtimi nga PSE

Nënshkrimi i marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për azilkërkuesit ka ndezur një debat edhe më të madh politik në shtetin fqinj.

Edi Rama është bërë pjesë e këtij debati duke iu përgjigjur një lajmi që qarkulloi në Rome sipas të cilit të majtët italianë të Partisë Demokratike do të kërkonin dëbimin e tij nga Partia Europiane Socialiste.

Lajm që më pas u mohua nga kjo forcë por që për Kryeministrin shqiptar përsëri meritonte një replikë në rrjetet sociale ku nuk ka lënë pa ironizuar dhe kundërshtarët e tij demokratë.

“Është shpërndarë lajmi në gazeta që miqtë e Partisë Demokratike Italiane donin të më dëbonin nga Partia Evropiane Socialiste dhe më pas me një farë vonese, vetë ata e mohuan, por duke nënvizuar se marrëveshja që bëri Shqipëria me qeverinë italiane është seriozisht e gabuar nga të gjitha pikëpamjet – saktësisht e njëjta gjë thonë shumë PD-të e djathtës shqiptare që luftojnë për të njëjtin emër pas çarjes”.

Rama këmbëngul se pavarësisht se si e shohin në Shqipëri dhe në Itali marrëveshjen për pranimin e azilkërkuesve nga Afrika e Veriut është hapi më i drejtë për zgjidhjen e një çështje kaq të mprehtë në gjithë Europën.

“Sigurisht që mund të mungojë aftësia për të parë shumë këndvështrime të të gjitha këtyre PD-ve, por në respekt të plotë të Partisë Demokratike Italiane do të doja të përsërisja këndvështrimin tim të vetëm: Të përpiqesh të ndihmosh Italinë në këtë situatë, ku askush në Evropë nuk duket të ketë një zgjidhje të pranueshme nga të gjithë, ndoshta nuk është më e mira, por sigurisht është minimumi që Shqipëria duhet dhe mund të bëjë! Dhe nëse kjo nuk është majtas në Itali, durim, duket se nuk është as djathtas në Shqipëri. Ndoshta është thjesht e drejtë”.

Rama shpreh keqardhjen që këtë këndvështrim të ndryshëm nuk mund t’i përballin me sivëllezërit socialistë italianë të cilët ndryshe nga ai janë në Malaga ku është mbledhur samiti i Partive Socialiste Europiane, pasi ndodhet në Paris.

Por ai thotë se shpreson që nga diskutime të tilla për emigracionin të lindin zgjidhjet e duhura pas kaq shumë vitesh që kjo temë vazhdon të jetë një “patate e nxehtë” në duart e liderëve europianë.

Burimi Tv Klan

Të ngjajshme

Të fundit