Rikthimi i tij në Milano, ku u takua me emigrantët që jetojnë në Itali nisi me një surprizë, teksa legjenda e futbollit të Juventusit, Alessio Tacchinardi i dhuroi fanellën me numrin 5, në shenjë fitoreje për zgjedhjet e 11 Majit.
“Edi e di që je një tifoz i Juventusit, doja të të dhuroja këtë bluzë që mban numrin 5 duke të të uruar shumë fat, shumë. “
Për të përmbushur vizionin e tij që ta ulë Shqipërinë në tryezën e BE-së në 2030-ën, tha se i nevojitet vota e shqiptarëve pa dallime partiake, duke i ftuar që të mos humbasin këtë takim me historinë.
“Këtë takim me historinë s’mund ta humbasim as për mustaqet e Kujtim Gjuzit dhe as për bufin e kënetës. Ju bëj thirrje demokratëvë që ta kuptojnë se kjo s’është ndeshje mes Interit dhe Milanit.”
Jo vetëm integrimi në Union, por në 11 Maj votën e shqiptarëve e kërkoi edhe për vijimin e reformës në drejtësi, për të cilën meritën ia njeh vetes dhe Partisë Socialiste.
“Vetëm në PS, ne bashkë mund të mbrojmë drejtësinë nga ofensiva e bufit, bretkosave e mushkonjave që përbetohen se në 12 Maj do shkrijnë SPAK-un.”
Votën për Sali Berishën e sheh si regres për vendin, ndaj dhe në 11 Maj kërkoi një fitore përtej aritmetikës.
“Të hedhësh votën në kënetë, është vërtet turp!”
Jo vetëm për kundërshtarin e tij në kampin blu, por shqiptarët i ftoi që me votën e tyre të ndëshkojnë edhe partitë e reja.
“Kanë dhe ca emra, jo bëhet, jo s’bëhet…Jo mundet, jo s’mundet… Ato të re kanë vetëm fytyrë dhe moshën e kryetarëve të tyre. Kanë mbushur listat e mbyllura me farefis se thonë me demek s’kemi besim dhe ju premtojnë qiqra në hell. Se dihet se kush nuk ka gjë në dorë mund të të premtojë të të falë gjithë Milanon. Të çosh votën për ata është ta çosh dëm!”
Emigrantët e italisë i njohu me finalizimin e marrëveshjes së pensioneve, teksa premtoi se Shqipëria e 2030-ës do shënojë progres jo vetëm për rritjen e të ardhurave, por edhe të pagave.
“Dhe ju pritët dhe edhe pasi u morëm vesh me motrën time në Romë, ju prapë pritët derisa miratuan ligjin dhe vetëm përpara 3 ditësh është firmosur dhe dokumenti i fundit. Por nëse do të kishim pasaportën e BE-së, ju s’do të kishit nevojë për asnjë lloj njohje nga qeveria italiane.”
Ky takim i kreut të qeverisë me emigrantët vjen një ditë përpara shpërndarjes së fletëve të votimit, ku shqiptarët e Itlaisë dhe ata të Greqisë do të jënë të parët që do t’i marrin ato.
Burimi / Tv Klan
