19.2 C
Skopje
E hënë, 15 Qershor, 2026

Rama: Turp për drejtësinë ndërkombëtare dhe për ata që Thaçin e shohin si armik politik

epa08516638 President of the Republic of Kosovo Hashim Thaci (L) welcomes Prime Minister of Albania Edi Rama (R) in Pristina, Kosovo 29 June 2020. According to media reports, the Specialist Prosecutor's Office (SPO) in The Hague on 24 June 2020 filed a ten-count indictment with the Kosovo Specialist Chambers (KSC) against Thaci, on charges of alleged 'crimes against humanity and war crimes, including murder, enforced disappearance of persons, persecution, and torture.' EPA-EFE/VALDRIN XHEMAJ

Është i tmerrshëm fakti që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vazhdojnë të mbahen në Hagë nën akuzën për krime lufte, edhe pesë vjet pas arrestimit, ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

“A nuk është e tmerrshme ta mendosh se shpëtimtarët e një kohe kur vetë ekzistenca e Kosovës ishte në tehun e thikës së gjatë të padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve, duhet të paraqiten para një gjykate të dalë krejt nga shinat mbi të cilat u ngrit, për të dëshmuar se lufta për liri nuk është krim, se rebelimi ndaj një diktature nacional-socialiste nuk është faj, se shteti i ri e sovran i Kosovës nuk ka dalë nga barku i një ndërmarrjeje kriminale, po nga gjaku i një ushtrie çlirimtare?!”, ka shkruar ai.

Rama ka thënë po ashtu se është turp për drejtësinë ndërkombëtare e “edhe më zi” për siç ka thënë ai, “shqipsharësit digjitalë” që ish-presidentin Hashim Thaçi e shohin si armik politik.

Kryeministri shqiptar ka shtuar se emri i ish-presidentit Hashim Thaçi do të mbetet përgjithnjë si “emri i njeriut që u bë njësh me fatin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

“Çfarë turpi për drejtësinë ndërkombëtare dhe edhe më zi për shqipsharësit digjitalë, tifozë të verbuar prej budallakisë kinse patriotike, që edhe mbrapa hekurave të kësaj padrejtësie ulëritëse, e shohin dhe trajtojnë Hashim Thaçin si armik politik, duke uruar të mos dalë më kurrë prej aty; ndërkohë që kur atyre t’u jetë harruar nami e nishani dhe asaj gjykate t’i ketë mbetur vetëm njolla e turpit të historisë, emri i Hashimit do të mbetet përgjithnjë si emri i njeriut që u bë njësh me fatin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.”

Së fundmi, në Kosovë, Hagë dhe Shqipëri janë mbajtur protesta në mbështetje të ish-eprorëve të UÇK-së. Në mbështetje të protestuesve që kërkonin drejtësi ishte edhe vetë kryeministri Edi Rama.