Përfaqësuesit e Frontit Evropian kanë reaguar lidhur me informacionin se policë nga Serbia do të patrullojnë në Maqedoninë e Veriut. Reagimi i tyre duket paksa me amatorizëm, pasi memorandume të bashkëpunimit me policitë e rajonit në fushën e sigurisë janë firmosura prej vitesh dhe janë rekomandime të Komisionit Evropian.
Në këtë prizëm, për një kohë të gjatë, gjatë sezonit turistik, policë nga Shqipëria kanë patrulluar në Strugë dhe rajone tjera. Në anën tjetër, edhe policët nga Maqedonia e Veriut kanë patrulluar në bregdetin shqiptar. Nëse nisemi me logjikën e BDI-së dhe mbështetësve të saj, atëherë Daçiqi nuk erdhi tani por atë e gjetëm në Maeqdoninë e Veriut. Pikërisht BDI është dëshmuar për takime të shumta me përfaqësues të pushtetit serb.
RMV po angazhohet për bashkëpunim rajonal në të gjitha dimensionet, përfshirë edhe atë të sigurisë. Ministria e Punëve të Brendshme thekson se bashkëpunon intensivisht dhe në mënyrë të shkëlqyer me të gjitha vendet e rajonit, si kërkesë e Bashkimit Evropian. “Ministria për Punë të Brendshme e Maqedonisë së Veriut në fushën e sigurisë bashkëpunon intensivisht me shtetet fqinje në mënyrë të shkëlqyer, duke nënshkruar marrëveshje, protokolle dhe memorandume bashkëpunimi. Në vazhdë të këtij bashkëpunimi policor, MPB ka nënshkruar edhe protokolle bashkëpunimi gjatë sezonit turistik me këto shtete: Shqipëria, Kosova, Kroacia, Mali i Zi dhe Serbia. Këto protokolle janë zbatuar intensivisht dhe çdo sezon turistik bëhet shkëmbimi i zyrtarëve policor nëpër vendet turistike,” thekson ministria. / © POPULLI.mk
