14.8 C
Skopje
E premte, 27 Shkurt, 2026

Reagon Spiropali një ditë pas vendimit të Edi Ramës: Politika nuk matet me poste

Një ditë pasi kryeministri Edi Rama e shkarkoi nga posti i ministres së Jashtme, Elisa Spiropali ka reaguar, duke deklaruar se përfundimi i një detyre nuk është fundi i angazhimit të saj politik dhe publik.

Me anë të një postimi të gjatë në Facebook, Spiropali vë në dukej se politika është një hapësirë ku koha lëviz shpejt, ndërsa vlerësimi i figurave publike bëhet në kohë.

Sipas saj, ajo që mbetet nuk është posti i mbajtur, por mënyra se si është ushtruar ai dhe pesha që i është dhënë fjalës dhe qëndrimit publik.

“Shërbimi ndaj Shqipërisë për mua ka qenë dhe është i lidhur pazgjidhshmërisht me dashurinë për Shqipërinë, zgjedhje e vetëdijshme dhe jo aksident karriere, një akt besimi se vendi ynë mund dhe duhet të qëndrojë në anën e duhur të historisë, ashtu siç në momentet kyçe të saj Shqipëria ka ditur të zgjedhë orientimin perëndimor, edhe kur kjo zgjedhje ka qenë e vështirë. Nga koha kur rilindasit kërkonin dritë në Europë, te vendimi historik për anëtarësimin në NATO dhe rruga drejt Bashkimit Europian, projekti ynë kombëtar ka qenë gjithmonë projekt për t’u bërë pjesë e qytetërimit politik që ndërtoi shtetin e së drejtës, dinjitetin institucional dhe njerëzor“, shkruan Spiropali, e cila thekson se “detyra ime si Ministre e Jashtme nuk ishte thjesht funksion, por vazhdim i një narrative historike që e sheh Shqipërinë si pjesë të pandashme të Perëndimit politik”.

Spiropali shprehur mirënjohje për PS dhe kryeministrin Rama, për besimin siç shkruan ajo që i kanë dhënë ndër vite.

“Socialistëve u detyrohem gjithmonë besnikëri ndaj idealeve dhe jo ndaj komoditetit, sepse e majta europiane që kemi synuar të ndërtojmë në Shqipëri nuk është retorikë, por përpjekje për drejtësi sociale, shtet funksional dhe integrim të pakthyeshëm në Bashkimin Europian. Këto janë busulla që nuk ndryshojnë me rrethanat dhe nuk zbehen me rotacionin e detyrave”, thekson nder të tjera ajo.

Sipas saj, historia personale e një politikani nuk matet me kohëzgjatjen e mandatit, por me gjurmën që lë në kulturën politike dhe morale të vendit. Në përfundim, Spiropali theksoi se për të, “mbyllja e një detyre nuk përbën tërheqje, por vijim të angazhimit” me të njëjtën bindje dhe përgjegjësi publike.

Në postin e Ministrit të Punëve të Jashtme, kryeministri Edi Rama propozoi ish ambasadorin e Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha.

Të ngjajshme

Të fundit