Në Maqedoninë e Veriut nuk sheh të ketë radikalizëm islamik, konstatoi i pari i BFI-së Shaqir Fetahu në Klan Debat.
Fetahu thotë se BFI-ja është e përcaktuar kundër radikalizmit, kundër ekstremizmit dhe terrorizmit.
“Momentalisht, ne të gjitha xhamitë i kemi nën patronatin e BFI-së në Maqedoni. Vetëm një ndërtesë, që nuk është legjitime si xhami, në Kumanovë, por ne i kemi bërë veprimet tona ndaj tyre…”, tha Fetahu duke iu bërë thirrje besimtarëve të “ndërtesës” në fjalë të rikthehen në bazë, në BFi si busulla dhe garanca kryesore e Islamit burimor./KlanMacedonia.
Menjëherë ka ardhur reagimi nga hoxha Sadullah Bajrami ndaj kreut të BFI-së. Ai kundërshton deklaratën e dhënë nga kreu i BFi-së, Shaqir Fetahu mbrëmë në emisionin Klan Debat.
Sadullah Bajrami e quan skandaloze deklaratën e kreut të BFI-së, dhe apeloi që ky i fundit ta pranojë statusin e “Xhamisë së Madhe” në Kumanovë.
“Është skandaloze deklarata e kreut të BFI-së ku Xhaminë e Madhe në Kumanovë e quan “ndërtesë”. Në qoftë se xhamia është e tillë, atëherë pse ai është aq shumë i interesuar që ta ketë në pronësi të vet. Athua mos vallë ka dëshirë që ta përvetësojë si vakëf këtë “ndërtesë” e që pastaj (ashtu siç ka qenë i akuzuar ish kreu i BFI-së, lideri shpirtëror i tij, prej disa gazetarëve dhe portaleve) që ta përdorë si hipotekë që të ketë përfitime materiale që ndoshta do ta nxirrnin prej krizave financiare? Apo mbase këtë “ndërtesë” do ta shndërronte në hotel apo motel për përfitime materiale. Ne i bëjmë apel që po qe se është i sinqertë në thirrjet e tij për negociata dhe bashkëpunim, fillimisht në shenjë pajtimi ai ta pranojë statusin të cilin e meriton Xhamia e Madhe në Kumanovë si xhamitë tjera në RMV”, thuhet në reagimin e Sadullah Bajrami.