Rreth 220 profesorë universitarë nga tre universitetet kryesore shqiptare në vend – Universiteti i Tetovës (UT), Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) dhe Universiteti “Nënë Tereza” (UNT) – i janë drejtuar me një letër publike Ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, duke kërkuar tërheqjen e Propozim-ligjit aktual për arsimin e lartë.
Profesorët nënshkrues, përmes kësaj letre të hapur, shprehin shqetësimet e tyre serioze lidhur me propozimin ligjor, i cili aktualisht ndodhet në fazën e përgatitjes dhe miratimit. Ndonëse shprehin vetëdijen për nevojën e avancimit të arsimit të lartë dhe harmonizimit të tij me standardet evropiane, ata vlerësojnë se zgjidhjet e propozuara përbëjnë ndërhyrje serioze në autonominë universitare, e cila garantohet me Kushtetutë dhe me standardet ndërkombëtare.
Sipas letrës, shqetësimet kryesore lidhen me cenimin e pavarësisë institucionale përmes parashikimit të organit “Këshilli Universitar”, i cili me kompetenca që zëvendësojnë organet e larta si Senati dhe Këshilli i Rektoratit, dhe me anëtarë të emëruar nga Qeveria, krijon bazë për ndikim të drejtpërdrejtë politik në menaxhimin e universiteteve. Gjithashtu, theksohet pasiguria juridike që vjen nga dispozitat që mundësojnë ndryshime statusore, si shkrirje apo fuzionime të universiteteve me iniciativë të Ministrisë, pa dakordimin e kualifikuar (2/3) të njësive përbërëse dhe të Senatit.
Për këto arsye, profesorët kërkojnë tërheqjen ose rishikimin thelbësor të dispozitave që cenojnë autonominë, rishqyrtimin e kritereve për zgjedhje në thirrje, sigurimin e trajtimit të barabartë për të gjitha universitetet e akredituara në lidhje me organizimin e studimeve të ciklit të tretë, dhe hapjen e një debati të gjerë publik dhe profesional para miratimit të versionit përfundimtar të ligjit. Ata mbeten me shpresë se organet kompetente do ta mbështesin këtë synim, duke mundësuar që Propozim-ligji të marrë miratimin e të gjithë faktorëve shoqërorë, e veçanërisht të komunitetit akademik.
Ja letra e plotë drejtuar ministres Janevska:
Ne nënshkruesit, profesorë të Universitetit të Tetovës, Universitetit të Evropës Juglindore dhe Universitetit “Nënë Tereza”, përmes kësaj letre të hapur shprehim publikisht vërejtjet, shqetësimet dhe propozimet tona lidhur me Propozim-ligjin për arsimin e lartë, i cili aktualisht ndodhet në fazën e përgatitjes dhe miratimit.
Duke qenë të vetëdijshëm për nevojën e avancimit të arsimit të lartë dhe harmonizimit të tij me standardet evropiane, vlerësojmë se disa nga zgjidhjet e propozuara janë ndërhyrje serioze në autonominë e universitare, e cila garantohet me Kushtetutë dhe me standardet ndërkombëtare në fushën e arsimit.
Parashikimi i organit “Këshilli Universitar”, me rritje të dukshme të kompetencave dhe me funksion zëvendësues të organeve më të larta si Senati dhe Këshilli i Rektoratit, si dhe fakti që një pjesë e anëtarëve të tij emërohen nga Qeveria, krijon bazë për ndikim të drejtpërdrejtë politik në menaxhimin e universiteteve dhe cenon autonominë institucionale dhe pavarësinë akademike.
Gjithashtu, dispozitat që mundësojnë ndryshime statusore (shkrirje, fuzionime etj.) të universiteteve me inciativë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës pa dakordim të kualifikuar (2/3) të njësive përbërëse dhe të Senatit, hapin mundësi për paqëndrueshmëri institucionale dhe krijojnë pasiguri juridike për stafin akademik dhe studentët.
Në fushën e zgjedhjeve në thirrjet mësimore-shkencore, kushtet e propozuara janë vendosur në një nivel që, në praktikë, rezulton pothuajse i papërmbushshëm, veçanërisht në disa fusha specifike shkencore. Detyrimi për publikimin e punimeve në revista të indeksuara në Web of Science, me theksim shtesë të H-index-it si kriter, nuk merr parasysh specifikat e shkencave shoqërore dhe humanistike, ku numri i revistave relavante është i kufizuar dhe procesi i recensimit dhe publikimi mund të zgjasin më shumë se një vit.
Vlerësojmë se ekziston rrezik real që nëpërmjet këtyre ndryshimeve të propozuara të margjinalizohet roli i revistave tona shkencore, të cilat për vite me radhë kanë kontribuuar në zhvillimin e mendimit shkencor kombëtar dhe traditës akademike. Gjithashtu, vendosja e një dispozite sipas së cilës vetëm katër universitetet e para të ranguara do të kenë të drejtë të organizojnë studime të doktoraturës, vlerësojmë se mundëson pabarazi dhe trajtim diskriminues ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe në vend se të inkurajohet cilësia nëpërmjet
mbështetjes dhe zhvillimit, vendoset një model që kufizon mundësinë e universiteteve të tjera.
Konsiderojmë se reformat në arsimin e lartë duhet të jenë rezultat i një dialogu të gjerë, gjithëpërfëshirës dhe transparent me komunitetin akademik.
Vlerësojmë se një ligj që kufizon autonominë, krijon pabarazi dhe vendos kritere të pazbatueshme nuk mund të kontribuojë në cilësi reale dhe evropianizim të sistemit.
Për këtë arsye, kërkojmë:
1. Tërheqjen ose rishikimin thelbësor të dispozitave që cenojnë autonominë universitare.
2. Rishqyrtimin e kritereve për zgjedhje në thirrje, duke respektuar specifikat e fushave të ndryshme.
3. Sigurimin e trajtimit të barabartë për të gjitha universitetet e akredituara në lidhje me organizimin e studimeve,
në veçanti në ciklin e tretë.
4. Hapjen e një debati të gjerë publik dhe profesional para miratimit të versionit përfundimtar të ligjit.
Vlerësojmë se vetëm përmes një marrëdhënieje partneriteti ndërmjet nstitucioneve dhe komunitetit akademik mund të miratohet një ligj që realisht do ta avancojë arsimin e lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Për arsyet e lartpërmendura kërkojmë nga organet e kompetente që ta mbështesin këtë synim dhe propozimligji për arsimin e lartë të marrë miratimin e të gjithë faktorëve shoqërorë, veçanërisht të komunitetit akademik.
