13.8 C
Skopje
E mërkurë, 23 Prill, 2025

Rikonstruim apo zgjedhje të parakohshme?

Përplasjet e fundit brenda koalicionit VLEN dhe largimi i ASH-së së Arben Taravarit kanë vënë në pikëpyetje stabilitetin e shumicës qeverisëse. Përderisa eksponentë të VLEN-it thonë se Qeveria është stabile, nuk lënë anash edhe opsionin për kyçjen e ASH-së së Ziadin Selës në koalicionin qeveritar. A do të zëvendësohet përbërja aktuale e Qeverisë apo me largimin e mundshëm të Taravarit nga Qeveria vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme?

Me përçarjet brenda VLEN-it, gjegjësisht pas daljes së Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit nga ky koalicion, vëmendja po përqendrohet nëse do të ketë ndryshime në qeveri, gjegjësisht nëse do të largohet partia e Taravarit edhe nga ekzekutivi. Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti theksoi se mendimi i koalicionit VLEN është se nuk shkon që Taravari edhe të bashkëpunojë me BDI-në, edhe të mbetet pjesë e qeverisë, por për largimin eventual të tij nga qeveria do të vendosë kryeministri Hristijan Mickoski.

“Mendoj për këtë do të kërkoni mendim nga z.Mickoski. Unë flas në emër të VLEN-it. VLEN-i është i qartë, edhe me VLEN-in edhe me BDI-në nuk mundet. Edhe me BDI-në edhe në qeveri, mendoj që nuk shkon”, theksoi Mexhiti. Kryetari i LD-së madje i bëri thirrje Taravarit që të bëjë publike bashkëpunimin e tij me BDI-në. “Sa i përket z.Taravari, mendoj që është problem i z.Taravarit. Ai duhet ta sqarojë, nuk duhet ta fsheh bashkëpunimin me BDI-në. Pra është legjitime të bashkëpunojnë, nuk mund t’ia ndalojmë, por nuk duhet të harrojmë se ato 107.000 vota i kemi marrë si premtim para qytetarëve që do ta sjellim ndryshimin”, theksoi Mexhiti.

FETAI: ASH ËSHTË NË QEVERI

Në anën tjetër zëvendëskryeministri nga radhët e ASH-së, Arben Fetai thekson se ASH është në qeveri dhe se nuk ka asnjë plan për ndryshim të pozicioneve të këtij subjekti politik në qeveri. “Vazhdojmë me punë, në bazë ditore, sikur nuk ka ndryshuar asgjë”, theksoi Fetai. Megjithatë, ai konfirmoi se kryeministri Hristijan Mickoski do të ketë takim veçmas me partnerët e koalicionit, respektivisht me ASH, VLEN dhe ZNAM.

“Me kryeministrin Mickoski dhe me partnerët e koalicionit ka kontakte të përditshme. E kemi thënë disa prej nesh, e them që bashkëpunimi vazhdon në kuadër të qeverisë. Hiq më larg se dje kishim seancë të qeverisë ku nuk u ngrit as edhe një shqetësim. Pra vazhdojmë të bëjmë punën tonë, sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe besoj që i keni parë raportimet në media se gjatë ditëve në vijim do të ketë konsultime kryeministri, veç e veç me partitë, me koalicionin VLEN, Aleancën për Shqiptarët, partnerët e koalicionit ZNAM. Për momentin nuk ka ndryshuar asgjë, deri në konsultimet që pritet të ndodhin ditëve në vijim”, tha Fetai.

RAMADANI: NËSE ASH LARGOHET NGA QEVERIA, IMPONOHEN ZGJEDHJET E PARKOHSHME!

Mirëpo një largim i mundshëm i ASH-së së Taravarit, parti e cila numëron pesë deputetë në Parlament, çfarë pasojë mund të kishte mbi stabilitetin e kësaj qeverie. Sekretari i përgjithshëm i ASH-së, Blerand Ramadani në RTVM2 është prononcuar se partia e tij mundëson stabilitet qeveritar dhe nëse ASH largohet nga qeveria, atëherë do të imponohet tema e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Sipas tij, ASH me pesë deputetët e saj mundëson stabilitet politik të kësaj qeverie.

“Varësisht prej qasjes së qeverisë dhe kërkesës që e kanë partnerët e koalicionit për t’a larguar përsëri Aleancën prej qeverisë, pasi që mendoj se është një faktor që siguron një stabilitet qeveritar mbi të gjitha edhe me numrin e deputetëve, edhe në qasjen të cilën e ka në qeveri”, ka theksuar Ramadani. Ai madje u tregua se si parti janë të gatshëm për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. “Në qoftë se vijnë rrethanat që të kemi edhe zgjedhje parlamentare bashkë me zgjedhjet lokale, sigurisht që çdo subjekt politik e ka për detyrë që të jetë i gatshëm që të futet në garë”, vlereson Ramadani

NUHIU: TRAZIRAT NË VLEN MUND TA KENË EPILOGUN TE ZGJEDHJET E PARAKOHSHME

“Kacafytjet” në VLEN mund ta kenë epilogun në zgjedhjet e parakohshme parlamentare vlerësojnë edhe njohësit e çështjeve politike. Sipas politologut Qani Nuhiu, ajo që po ndodh brenda VLEN-it nuk është vetëm një mosmarrëveshje për taktika zgjedhore, por mund të jetë simptomë e një ristrukturimi të mundshëm të gjithë skenës politike, me pasoja të drejtpërdrejta në stabilitetin e qeverisjes aktuale, ndërsa mund të kenë në prapavijë edhe zgjedhjet parlamentare.

“Partitë në mënyrë interne mund të përgatiten edhe për diçka edhe më të madhe, e kjo mund të jenë edhe zgjedhjet parlamentare që nuk është e pamundur”, thekson Nuhiu. “Nëse shkëputja e Arben Taravarit nga koalicioni VLEN është definitive, atëherë kemi një realitet të ri politik që mund të sjellë edhe deri tek zgjedhjet e parakohshme parlamentare bashkë me ato lokalet”, vlerëson politologu Nuhiu.

Përndryshe zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë një kërkesë e kamotshme e BDI-së, e cila pretendon që partitë politike shqiptare në qeveri nuk kanë legjitimitetin për të përfaqësuar shqiptarët, ndaj kanë bërë thirrje që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe në këtë mënyrë ai që do të del si fitues të jetë përfaqësues i shqiptarëve në qeverinë e ardhshme. Megjithatë, zgjedhjet e parakohshme parlamentare deri tani janë refuzuar në mënyrë kategorike nga ana e kryeministrit Hristijan Mickoski dhe VMRO-DPMNE-së.

A DO TË KYÇET SELA NË QEVERI?!

Një opsion tjetër i cili po përmendet në opinion është nëse pas largimit të mundshëm të Taravarit nga koalicioni qeveritar, në shumicën parlamentare dhe në qeveri do të kyçet krahu tjetër I Aleancës për Shqiptarët i udhëhequr nga Ziadin Sela, i cili për momentin është pjesë e Frontit Europian. Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, thotë se pas bashkëpunimit mes Ahmetit dhe Taravarit, pritet të ketë lëvizje të mëdha në skenën politike dhe nuk përjashtoi një bashkëpunim të mundshëm me Selën.

“Ka deklarata se ‘Fronti Evropian’ nuk ekziston më. Këtë e ka deklaruar z.Taravari, pra prej jashtë i dinë punët më mirë se sa brenda frontit. Pra, këtu rregullën e ka thyer z.Ahmeti duke bashkëpunuar me pjesë të VLEN-it apo me Taravarin dhe nëse është kështu loja nuk ka mbaruar dhe pres që të ketë lëvizje më të mëdha”, tha Mexhiti. Kujtojmë se partia e Ziadin Selës numëron katër deputetë, ndërsa është pjesë e Frontit Europian, koalicion ky i udhëhequr nga BDI. (koha.mk)

Të ngjajshme

Të fundit