4.8 C
Skopje
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

“Rruga e vetme është normalizimi i marrëdhënieve”/ Zyrtarët e BE, takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiç në Bruksel

Normalizimi i marrëdhënieve mes tyre, në bazë të marrëveshjes së Ohrit është rruga e vetme për anëtarësim të Kosovës dhe Serbisë në bllokun Europian.

Shefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e cila mori detyrën e re tre ditë më parë, i bëri këto komente pas takimeve të ndara në Bruksel me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç.

“E mirëprita gatishmërinë për të bashkëpunuar plotësisht pas sulmit të fundit terrorist. Autorët duhet të përballen me drejtësinë”, shkroi Kallas në platformën e medieve sociale X, duke iu referuar shpërthimit të së premtes në kanalin furnizues me ujë nga liqeni i Ujmanit në veri të Kosovës.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, shkroi për “bisedë të hapur dhe të vështirë” me kryediplomaten evropiane.

“Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe të sigurisë foli për domosdoshmërinë e dialogut me Prishtinën, zgjidhjen e rastit Banjska dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse”, shkroi Presidenti Vuçiç duke nënvizuar se i është përgjigjur asaj në përputhje me politikën dhe interesat e Serbisë.

Presidenti serb tha ndërkaq se ka biseduar me ndihmës-sekretarin amerikan të Shtetit James O’Brien, për “përshkallëzimin e situatës” në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha pas takimit se dorëzimi i ish nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiç i cili mori përsipër përgjegjësinë për sulmin në Bansjkë, është një nga kushtet e tij për dialogun, ndërsa ritheksoi kërkesën për nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilën palët ranë dakord në mars të vitit 2023.

“Natyrisht që diskutuam edhe për sulmin e fundit që na u bë në Kosovë, eksplodimi i kanalit Ibër-Lepenc në Zubin Potok të Kosovës me ç’rast u rrezikua më shumë se gjysma e popullsisë së vendit tonë”, tha kryeministri Kurti i cili akuzon Serbinë se qëndron pas shpërthimit.

Beogradi i mohon akuzat dhe është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë për zbardhjen e sulmit.

Të ngjajshme

Të fundit