13.8 C
Skopje
E premte, 8 Nëntor, 2024

Ruajtja e harmonisë fetare brendashqiptare, garantuese e një ardhmerie të ndritshme

Nga Prof.dr. Skender ASANI

Për dallim nga popujt tjerë të Ballkanit, të cilët revolucionet e tyre i mbështetën në doktrina
fetare, te shqiptarët ndodhi e kundërta. Nacionalizmi shqiptar, që u formësua kryesisht
gjatë Rilindjes Kombëtare, platformën e tij ideologjike e kulturore e vendosi mbi unitetin
kombëtar, duke mos u bërë peng i besimeve dhe doktrinave fetare. Prandaj, në historinë
shqiptare dominojnë fotografi të ngjarjeve të rëndësishme ku pranë njëri tjetrit qëndrojnë
personalitete të shquara me besime të ndryshme fetare – islame e të krishtera. Në Lidhjen e
Prizrenit, në Kongresin e Alfabetit, në aktin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë si dhe në
ngjarjet e mëvonshme, pati një bashkëpunim të shkëlqyer të krerëve të Lëvizjes kombëtare,
të cilët vinin nga besime të ndryshme fetare.

Europa, që nga mesjeta e deri në shekujt e mëvonshëm, njohu lufta të brendshme fetare në
mes të popujve dhe te ata, në të shumtën e rasteve, dominoi filozofia e unitetit mbi baza
fetare e jo kombëtare. Kështu ndodhi edhe te popujt e Ballkanit, te cilët kisha luante rolin
kryesor në mobilizimin e brendshëm, por edhe në luftëra kundër popujve të tjerë. Ky
dominim i segmentit fetar në historinë e formimit kombëtar të këtyre popujve, ka lënë
pasoja të shumta, si në rrjedhat e brendshme shoqërore, ashtu edhe në marrëdhëniet me
popujt e tjerë. Për rrjedhojë, popujt që vetëdijen e tyre kombëtare e shartuan mbi trungun
e doktrinave fetare, e kanë më vështirë t’i pranojnë vlerat e atyre që janë të ndryshëm nga
ata, sidomos të ndryshëm mbi baza fetare.

Kjo filozofi e të menduarit kishte dominuar sidomos në shek. 19, por në momente të
caktuara edhe gjatë shek. 20, atëherë kur kisha, sidomos ajo e proviniencës serbe dhe
greke, për interesa të caktuara, bekonte ose mallkonte njerëz. I bekonte ata që marshonin
në beteja pushtuese kundër popujve të tjerë dhe i mallkonte ata që bënin përpjekje të
arsimoheshin në gjuhën e tyre amtare. Shumë ofenziva të paramilitarëve dhe forcave
pushtuese serbe në Kosovë, fillimisht e mernin bekimin e kishës. Prandaj vulën e
bashkëfajësisë në shumicën e masakrave ndaj shqiptarëve e mban edhe kisha serbe.
Ndërkaq, mallkimi mbi shkronjat shqipe, bie fjala, ishte kryefjala e liturgjive fetare të
priftërnjëve grekë, të cilët e quanin herezi përhapjen e mësimit në gjuhën shqipe nëpër
shkollat e Shqipërisë së jugut, në prag të pavarësisë së saj.

Të liruar nga psikoza e ndikimit dhe indoktrinimit fetar, shqiptarët zhvilluan beteja të
pastra identitare pa cenuar interesat e popujve të tjerë dhe pa e glorifikuar historinë e tyre

nacionale. Kjo ka bërë që shqiptarët të jenë rast unik në botë që, edhe pse me shumicë
islame, kanë për hero kombëtar një figurë të identifikuar me Krishtërimin, siç është Gjergj
Kastrioti, ose një simbol të humanitetit ndërkombëtare, me përkatësi fetare katolike, siç
është Gonxhe Bojaxhiu- Nëna Tereza.

Shqiptarët i bën unik edhe qasja që kanë ndaj atyre që kanë besim tjetër fetar. Janë të
shumta rastet kur shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri ua urojnë festat fetare fqinjëve të
tyre, me përkatësi tjetër fetare, dhe madje marrin pjesë edhe në ceremoni të përbashkëta
festive. Ky sinkretizim fetar në hapësirsën shqiptare, nuk praktikohet te popoujt tjerë, dhe
kjo ka bërë që të ruhet bërthama kombëtare nga tendenca e shkërmoqjes dhe
dezintegrimit.

Por a mjafton kjo frymë e harmonisë fetare brendashqiptare?

Kjo pyetje bëhet më kupimplote, sidomos në kohën që po e jetojmë aktualisht, kur harta e
konflikteve dhe mosmarrëveshjeve po merr përmasa shqetësuese, kurse roli dhe ndikimi i
fesë gjithnjë e më tepër po tregohet si katalizator krizash e keqkuptimesh në mes të
popujve e shteteve. Lindja e Mesme, Ukraina, shtetet e ish Bashkimit Sovjetik, dhe pika të
tjera neuralgjike , janë vetëm disa nga vatrat e krizës, ku në prapavinë e konflikteve
qëndrojnë edhe animozitetet të shtresuara fetare nga e kaluara.

Bashkëjetesa fetare nuk është një përvojë njerëzore që mbetet e ngurtë, e pandryshuar,
por përkundrazi, bashkëjetsa fetare duhet të kultivohet në vazhdimësi dhe të ruhet nga
ndikimet që prishin harmoninë fetare. Bashkëjetesa fetare duhet të ushehet me frytet më
të pastra të mirëkuptimit kombëtar.

Shqiptarët iu takojnë tre besimeve fetare: islame, katolike dhe ortodokse dhe nënvaranteve
të ndryshme të këtyre besimeve. Duke qenë të shpërndarë në një hapësirë kaq dispersive
fetare, shqiptarët, për dallim nga popujt tjerë, nuk e kultivuan kultin e besimit fetar si një
faktor vendimarrës. Përkundrazi, shqiptarët gjatë gjithë rrugëtimit të tyre historik,
bashkëudhëtarë më të afërt nuk patën pjesëtarët e të njejtit besim, por bashkëveprimtarët
e të njejtit ideal kombëtar. Kjo ndikoi që në etapat e caktuara të zhvillimit të betejave
identitatare, te shqiptarët të kultivohet vëllazëria e brendshme mbi baza kombëtare e jo
mbi ato fetare.

Një vëllazëri e brendshme kombëtare sot ka nevojë të kalojë nëpër sprova dhe testime të
vazhdueshme, në mënyrë që kauzat civilizuese e kombëtare të zhvillohen papengueshëm
dhe të pandikuara nga doktrinat e caktuara fetare. Fundja, fenë duhet kuptuar thjeshtë si
besim, kurse kombin si gjen, si ADN. Prandaj, sot hasim më dendur ndërrimin e fesë se sa
të kombit, sepse besimi është kategori e ndryshueshme, kurse gjeni ose AND-ja – jo.
Duke qenë kështu të definuara çështja e fesë dhe e kombit, shqiptarët duhet të vazhdojnë të
bashkëjetojnë në harmoninë e besimeve fetare, si një parakusht për ruajtjen e qenies së
tyre kombëtare. Çdo dominim apo mbivendosje e prioriteteve fetare mbi ato kombëtare e
rrezikon të ardhmen e shqiptarëve. Arkitektura etnike e kombit shqiptar duhet të ketë si
konstruksion pikërisht vertikalen shpirtërore kombëtare, kurse si fasadë mund të
përdoren edhe besimet fetare.

Ashtu siç shtetet formohen prej kombeve, edhe kombi formohet prej interesave dhe
specifikave të përbashkëta. Shqiptarët si komb u formuan vonë, por te ata ndjenja e
përbashkësisë etno-psikologjike datonte shumë më herët, që nga përpjekjet e Gjegj
Kastriotit për të formuar shtetin e Arbërit, si derivat i bashkimit të principatave arbërore.

Pra, asnjëherë te shqiptarët bashkimi nuk u bë mbi baza fetare, por mbi ato kombëtare dhe
kjo ka qenë arsyeja që në organet drejtuese të shtetit, që nga pavarësia e këndej, kanë qenë
personalitete me përkatësi të ndryshme fetare që kanë ushtruar funksione të larta zyrtare,
duke filluar nga diplomacia, ushtria, e deri te arsimi, ekonomia e bujqësia.

Vazhdimësia iliro-arbërore-shqiptare ka qenë një faktor i rëndësishëm historik që e ka
shpëtuar kombin shqiptar nga dezintegrimi dhe asimilimi. Ky shpëtim ka ndodhur edhe në
ato momente historike kur shqiptarët me besime të ndryshme fetare arritën të
bashkëpunojnë në mes veti për të mbrojtur qenien e tyre kombëtare. Intelektualët
shqiptarë që vinin prej besimeve të ndryshme fetare, u bënë ideatorët kryesorë të
përhapjes së dritës së diturisë në hapësirat shqiptare.

Në Stamboll, në gjysmën e dytë të shek. 19, ishte një qerthull mjaft aktiv kulturor që
tubonte intelektual e ideolog shqiptarë të besimit islam, në krye me vëllezërit Frashëri, të
cilët e formuan edhe “Shoqërinë e të shtypurit shkronja shqip”, ose e njohur ndryshe
“Shoqëria e Stmabollit”. Ky qerthull kulturor i Stambollit pati bashkëpunim të shkëlqyer me
intelektualët e ideologët shqiptarë të besimit katolik e ortodoks, në Korçë, Shkodër,
Bukuresht, Sofje, Kalabri, Sicili, Kajro e gjetiu dhe si fryt i këtij bashkëpunimi u organizuan
Kongresi i Manastirit, hapja e Shkollës së parë për vasha në Korçë, Kongresi i dytë i
Manastirit dhe hapja e Normales së Elbasanit, deri te Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972.

Moscënueshmëria e harmonisë fetare të shqiptarëve nga ndikimet dhe përçarjet e jashtme,
është një prej prioriteteve kryesore të elitave politike, intelektuale e fetare të shqiptarëve.
Kjo moscenueshmëri arrihet nëse fuqizohet vëllazëria e brendshme kombëtare, pa i
dëmtuar ndjenjat fetare të secilit. Sepse një vëllazëri e brendshme kombëtare ngërthen në
vetvete diversitete të shumta krahinore, dialektore, zakonore e fetare. Nëse gjithë këto
diversitete trajtohen si pasuri kombëtare dhe nëse uniteti ndërtohet mbi dallime të
caktuara, atëherë ardhmrëia është e garantuar, kurse gjeneratat pas nesh do ta kenë më
lehtë t’i tejkalojnë sfidat që paraqiten si rrjedhoj e këtyre dallimeve.

Shkup, 30 tetor 2024

Të ngjajshme

Të fundit