13.8 C
Skopje
E shtunë, 19 Prill, 2025

Seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë të enjten

Deputetët e zgjedhur të partive kryesore politike parlamentare kanë thënë se do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës parlamentare për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, por me qëndrime të njëjta që çuan drejt ndërprerjes së saj një ditë më parë.

Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është caktuar për të enjten, në orën 12:00.

Seanca nisi të martën, orën 10 dhe u ndërpre rreth dy orë më pas, për shkak se deputetët nuk e miratuan raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, që do t’i hapte rrugë betimit të deputetëve.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) votuan kundër raportit, duke thënë se anëtarët e Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë, është dashur që të jepnin dorëheqje zyrtarisht më herët, në mënyrë që të mund të betoheshin si deputetë të përbërjes së re parlamentare.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka thënë vazhdimisht se ekzekutivi është në dorëheqje që nga përfundimi i mandatit katërvjeçar më 23 mars.

Të mërkurën në mëngjes, deputeti më i vjetër në moshë i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili kryeson seancën konstituive të legjislativit, iu drejtua me një letër presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të sqaruar se si të veprohej më tutje pas ndërprerjes së seancës konstituive të martën.

Osmani, ka thënë të mërkurën se seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, e ndërprerë të martën, duhet të vazhdojë brenda 48 orëve nga ndërprerja, ashtu siç e parashohin ligjet.

Po të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti përsëriti qëndrimin se ai dhe kabineti qeveritar janë në detyrë që nga 23 marsi, kur ekzekutivi ka përmbushur mandatin e rregullt katërvjeçar.

Ai tha se “më shumë se kaq nuk është e mundur të jepet dorëheqje” sepse do të ishte “braktisje e institucionit, do të ishte vakum institucional”.

Çka thonë partitë politike?

Deputeti i zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, aktualisht ministër në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, thotë për Radion Evropa e Lirë se deputetët e kësaj partie do të jenë të pranishëm në vazhdimin e seancës konstituive.

Sipas tij, procesi i konstituimit të Kuvendit duhet të vazhdojë, ashtu siç e parasheh ligji, por edhe letra e presidentes Osmani.

“Nuk ka kuptim të bllokohet konstituimi i Kuvendit dhe kjo është përgjegjësi e secilit prej 120 deputetëve të zgjedhur”, theksoi Çeku.

Lidhur me kërkesën e partive opozitare për dorëheqje të anëtarëve të ekzekutivit nga postet qeverisëse, të cilët kanë fituar mandatin e deputetit, Çeku tha se Lëvizja vetëvendosje mbetet pranë vendimit, të cilin e ka shprehur publikisht të mërkurën kryeministri në detyrë Kurti.

Nga Partia Demokratike e Kosovës, ende nuk kanë bërë publik ndonjë vendim se a do të votojnë raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.

Deputetja e zgjedhur e kësaj partie, Ariana Musliu – Shoshi, theksoi se sipas Rregullores së Kuvendit, brenda 48 orë nga ndërprerja e seancës, deputetët duhet të mblidhen sërish në legjislativ.

“Nesër (të enjten), duhet të blidhen të gjithë deputetët”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se vendimi i PDK-së për të votuar ose jo raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, do të bëhet i ditur kur të mblidhen deputetët në seancë.

Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) e ka mirëpritur përgjigjen e presidentes Osmani, që seanca konstituive e Kuvendit duhet të vazhdojë brenda 48 orëve nga ndërprerja.

Por, kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, përsëriti se LDK-ja do të kërkojë përsëri nga Kurti me ministra të japin dorëheqje formale.

“Do ta kërkojnë si obligim ligjor, si rrjedhë kushtetuese, si logjikë demokratike”, ka thënë Abdixhiku, por nuk ka saktësuar se a do ta definojë ky qëndrim edhe votimin ose jo nga kjo parti të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.

Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të jenë të pranishëm në institucionin ligjvënës, të enjten, ka thënë deputetja e zgjedhur e kësaj partie, Time Kadrijaj.

Ajo theksoi se votimi ose jo i raportit të të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, do të varet nga qëndrimi i partisë fituese të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizjes Vetëvendosje.

“Të shohim se sa janë serioz me dorëheqjet anëtarët e Qeverisë (të zgjedhur deputet). Paraprakisht, nesër (të enjten) do të konsultohemi edhe me partitë tjera opozitare dhe do të vendosim”, theksoi Kadrijaj.

Miratimi i raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, do t’i hapte rrugë kalimit në pikën e radhës, atë të betimit të deputetëve, më pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit – hapa të nevojshëm për konstituimin e legjislaturës së re parlamentare.

 

 

Burimi / Reporteri.net

Të ngjajshme

Të fundit