16.8 C
Skopje
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Sezon gripi, alivanosje, pritje të gjata për ndërrim të dokumenteve personale, kush është fajtor?

Tani më jemi në mesin e muajit të dytë të këtij viti që po shënon një fillim jo të mbarë për qytetarët e vendit. Presion i hatashëm dhe i pakuptimtë për ndërrimin e dokumenteve personale, pritje të gjata, alivanosje në korridore, të qara të fëmijëve e ofshama të të moshuarve, krejt ky kaos duhet të ketë një fajtor apo shkaktar kryesor. Sipas gjitha gjasave kjo është një mungesë e strategjisë së qeverisë dhe politikanëve që nuk e kanë parashikuar një kaos të tillë. Rekomandimet kanë të bëjnë me atë që të jepet afat kohor më të gjatë që secilit qytetarë pasi t’i skadojë afati i përdorimit të dokumenteve të jepen dokumentet e reja me emrin e ri. Pra, nuk ka qenë e nevojshme ndokush që ka pasur afat edhe tre vite në pasaportë sot të shkojë në sportel të policisë për të lëshuar pasaportë të re. Njëherë mërgimtarët e tani të gjithë qytetarët, sezon gripi, kolla e keqe që rrezikon epidemi, janë rreziqet me të cilat kanosen qytetarët çdo ditë, shkruan Zhurnal.

Qytetarët kërcënojnë me padi për pritjet e gjata për ndërrimin e dokumenteve personale –

Ndërrimi dokumenteve personale u shndërrua në një kaos të paparë më parë, krejt kjo si pasojë e politikbërjes afatgjate. Turmat e gjata të qytetarëve para sporteleve të policisë shkaktojnë rrezik për përhapje të epidemisë. E krejt kjo nuk duhet të kalojë pa u identifikuar fajtori dhe shkaktari kryesor që qëndron pas kësaj katrahure të krijuar.

“Ndihem sikur jam bllokuar në një burg të madh, në shtetin që jetoj”, thotë REL Milla Tuceviq, e cila u kthye e zhgënjyer të premten në orët e hershme të mëngjesit nga përgjigja që mori në sportelin për marrjen e të dhënave për nxjerrjen e dokumenteve të reja personale në Shkup.

“Pse të mos mund të shkoj ta shoh motrën dhe familjarët e mi që ndodhen në Sarajevë?! Kjo nuk është e drejtë, megjithëse vetëm para dy vjetësh nxora pasaportën dhe afati i saj nuk ka skaduar. Kjo aspak nuk është në rregull ndërkohë që motra është e sëmurë dhe nuk mund t’i gjendem pranë në këto ditë të vështira”, shprehet ajo.

Nga ana tjetër, Emilija Nastevska thotë se nuk mund të kthehet në Kanada te fëmijët, pasi nuk arrin të marrë pasaportën, megjithëse është fotografuar në fillim të janarit. Madje, ajo thotë se do të bëjë padi ndaj shtetit.

“Të drejtat e qytetarët janë shkelur, me këtë që pamundësohet lëvizja e lirë. E di se padia ndaj shtetit do të jetë proces i vështirë, por nëse paraqitet një iniciativë ku do të mblidhen më shumë qytetarë që do ta padisin shtetin, do t’i bashkohem asaj nisme… Askush nuk ka të drejtë të ma ndalojë të lëviz jashtë shtetit për fajin e shtetit që nuk është në gjendje t’i pajisë me kohë qytetarët e saj me dokumente udhëtimi”, thotë Emilija Nastevska.

Ndërsa, Bujar Ramadani, i cili është me punë të përkohshme në Gjermani thotë se ka rrezik ta humbasë punën pasi ka marrë leje për dy javë për të ardhur në Shkup që të pajiset me dokumentet e reja. Mirëpo, këtë nuk arrin ta bëjë as me procedurë të shpejtuar, edhe pse thotë se ka paguar trefishin e taksës për nxjerrjen e pasaportës së re.
“Unë pres por puna nuk pret. Çdo ditë më thonë nuk është gati hajde nesër… ndërkohë që punëdhënësi më dha vetëm dy javë pushim”, thekson Bujar Ramadani.

Rriten çmimet për nxjerrjen e pasaportës, letërnjoftimit, dhe patentë shoferit në kohën kur të gjithë qytetarët duhet t’i ndërrojnë dokumentet personale –

Përveç ndërrimit të dokumenteve personale do të duhet të bëhet ndërrimi i targave të veturave me emërtimin e ri NMK, që rezulton nga Marrëveshja e Prespës. E kjo do t’i kushtojë qytetarëve 11 milionë euro, këtë qytetarët duhet të bëjnë deri më 12 shkurt 2024. Ky është vendimi që kanë qenë të informuar të gjithë qytetarët, por vendimi për të cilin jo të gjithë janë të informuar ka të bëjë me rritjen e çmimeve për këto shërbime.

“Ne e dimë që detyrimi ynë është ndryshimi i targave deri në vitin e ardhshëm, siç është me dokumentet personale. Mendojmë se në një kohë shumë të shkurtër do të kemi një zgjidhje që do të ishte e favorshme për qytetarët. Të paktën kështu shpresoj dhe pres, nga ana tjetër duhet të vendosen norma dënimesh të rrepta për të gjithë ata që nuk do ta respektojnë këtë si zgjidhje. Duhet të bëjmë një kombinim që do të jetë në interes të qytetarëve, por edhe të ketë përgjegjësi serioze”, deklaroi Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm. Por, nga ana tjetër kemi një rritje të hatashme të çmimeve për këto shërbime, dhe për këtë gjë pak qytetarë janë të informuar. Kjo është papërgjegjësi e institucioneve që duke pas në fuqi vendimin që secili qytetarë duhet të kryejë këto shërbime këta rrisin çmimet.

Çmimi i pasaportës për person deri në 27 vjeç do të mbetet i pandryshuar dhe do të jetë 1.500 denarë, por pasaporta për person mbi 27 vjeç do të jetë 2.000 denarë, që është një rritje prej 500 denarëve. Çmimi i letërnjoftimit do të jetë 310 denarë, që është rritje prej 120 denarëve. Çmimi i patentës së shoferit do të jetë 410 denarë, që është rritje prej 130 denarëve. Çmimi i pasaportës me procedurë urgjente do të jetë 6.100 denarë, që është rritje prej 1.600 denarëve. Çmimi i patentë shoferit me procedurë urgjente do të jetë 1230 denarë, që është rritje prej 390 denarëve. Përndryshe, letërnjoftimet, pasaportat, lejet e vozitjes dhe tabelat e veturave që e kanë mbishkrimin “Republika e Maqedonisë” pavarësisht datës së skadimit, do të vlejnë më së voni deri më 12 shkurt të vitit 2024, pas kësaj date ata nuk do të jenë më të vlefshme. Sipas Ligjit për automjete, nëse automjeti është në komunikacion me targa të ndryshme nga ato të përcaktuara, parashihet gjobë.

Ndryshe, me këtë dinamikë ekonomike ku gjitha çmimet e produkteve dhe shërbimeve që ofrojnë vet institucionet e vendit rriten, numri i qytetarëve të varfër vetëm se do të rritet edhe më shumë, ndërkaq ata që veçmë janë të varfër do ta kenë edhe më të vështirë të përballen me shpenzimet e përditshme që tashmë janë veçse me çmime shumëfish më të larta. Shpenzimet mujore me të hyrat janë në një diskrepancë shumë të madhe me çka qytetarët edhe po dëshpërohen dhe shpresë po kërkojnë jashtë vendit. Shpresa e ka humbur rrugën në Maqedoninë e Veriut, madje është absurditet të dëgjohet prej ndokujt që shpreson që gjendja do të ndryshoj në aspekt pozitiv. Të rinjtë nuk shohin të ardhme, të punësuarit të pa kënaqur me pagat, të moshuarit me pensione që as për kontrolle mjekësore nuk janë të mjaftueshme.

Pra, e gjithë kjo katrahurë shkakton krizë edhe më të thellë në Maqedoninë e Veriut, që do të futemi në “krizë qytetarësh”, ku vendi do të zbrazet dhe do të bëhet i pa banueshëm.  Kujtojmë që, ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar më 17 korrik të vitit 2018 ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve. Në bazë të Marrëveshjes së Prespës, dokumentet personale duhet të ndërrohen në përputhje me emrin e ri të shtetit brenda pesë vjetëve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, përkatësisht deri më 12 shkurt të vitit 2024. /Zhurnal.mk

Të ngjajshme

Të fundit