Zv.Ministrja e Transportit, Kaltrina Z. Shaqiri, ka drejtuar akuza të ashpra ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim, duke e cilësuar këtë subjekt si përgjegjës për përhapjen masive të bixhozit në lagjet shqiptare dhe degradimin shoqëror që sipas saj ka ardhur si pasojë e kësaj politike, informon POPULLI.mk
“BDI nuk bëri politikë, kjo sekte mbolli bixhozin dhe korri vetëm varfëri! Lagjet tona u stërmbushën me kazino, telefonat tanë u pushtuan nga bixhozi online. Shkatërruan familje, shitën dinjitetin”, ka deklaruar Shaqiri.
Ajo ka theksuar se koalicioni që përfaqëson nuk do të lejojë më që e ardhmja e shqiptarëve të përdoret si lojë fati.
“Për vite luajtën bixhoz me fatin e shqiptarëve. Por loja e tyre ka marrë fund. VLEN nuk është zgjatim i krimit, VLEN është fundi i tij”, ka shtuar zëdhënësja.
Deklarata përmbyllet me premtimin për drejtësi sociale dhe institucionale:
“Drejtësi do të ketë. Për çdo fëmijë, për çdo nënë, për çdo familje të lënduar!” / © POPULLI.mk




