Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë është “informuar për rishikimin e një pjese të trupave amerikane të dislokuara në krahun lindor të NATO-s, si pjesë e procesit të rivlerësimit të pozicionit global të forcave ushtarake të SHBA-së”, thuhet në njoftimin e publikuar më 29 tetor.
Kjo ministri theksoi se “vendimi ishte i pritshëm, pasi Rumania ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me partnerin strategjik amerikan”.
“Rishikimi i forcave amerikane është pjesë e prioriteteve të reja të administratës amerikane, të shpallura që nga muaji shkurt. Vendimi ka marrë parasysh gjithashtu faktin që NATO-ja ka forcuar praninë dhe aktivitetin në krahun lindor, çka i lejon Shteteve të Bashkuara të përshtatin pozicionin e tyre ushtarak në rajon”, u tha në njoftim.
“Afër 1 mijë ushtarë amerikanë do të qëndrojnë të dislokuar në territorin e Rumanisë, duke kontribuar në parandalimin e çdo kërcënimi dhe duke vazhduar të përfaqësojnë një garanci të angazhimit të SHBA-së për sigurinë rajonale”, tha dikasteri i mbrojtjes.
Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes të Rumanisë vjen pas disa muajsh kur ishte përfolur për një tërheqje të trupave amerikane nga krahu lindor i aleancës ushtarake perëndimore.
As autoritetet në Bukuresht, as ato amerikane nuk kanë dhënë deri tani një shifër të saktë të ushtarëve amerikanë në Rumani. Në fillim të vitit 2025, ishin të dislokuar më shumë se 1.700 ushtarë amerikanë, kryesisht në Mihail Kogalniceanu, Deveselu dhe Campia Turzii. Afër 1.400 prej tyre ndodhen në Bazën Ajrore 57 Mihail Kogalniceanu.
Ministri i Mbrojtjes, Ionut Mosteanu, tha për Radion Evropa e Lirë në fillim të tetorit se në “Mihail Kogalniceanu ka afër 2 mijë e ca ushtarë amerikanë”.
“Po presim Strategjinë kombëtare të Mbrojtjes së SHBA-së, e cila do të prezantohet së shpejti. Do të shohim nëse ata do ta ruajnë praninë dhe pozicionin e tyre në krahun lindor, në Evropë… Rumania është e rëndësishme për SHBA-në”, deklaroi ministri Mosteanu./REL
