1.8 C
Skopje
E premte, 23 Janar, 2026

SHBA: Paketa e ndihmës që do të njoftojmë për Ukrainën mund të jetë e fundit

Shtëpia e Bardhë njoftoi se paketa e ndihmës që kanë përgatitur për Ukrainën ndoshta do të jetë e fundit për shkak të mosmiratimit të ndihmave për Ukrainën në Kongres, transmeton Anadolu.

Drejtori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së për Komunikimet Strategjike, John Kirby në deklaratën për gazetarët në një takim online tha se para vitit të ri do të njoftojnë paketën e re të ndihmës për Ukrainën.

“Pasi kjo të bëhet, ne nuk do të kemi më fonde për të ndihmuar Ukrainën”, tha Kirby. Ai i bëri thirrje Kongresit të miratojë ndihmat për Ukrainën.

“Ukraina ka ende nevojë për ndihmën tonë. Ka ardhur dhe po ikën koha që Kongresi të kalojë në veprim dhe të qëndrojë pranë lirisë dhe demokracisë për interesat tona të sigurisë kombëtare”, tha ai.

– Kriza në Kongres për “ndihmën për Ukrainën”

Në Kongresin e SHBA-së derisa vazhdojnë diskutimet e ashpra mbi çështjen e ndihmave për Ukrainën, republikanët në Senat penguan votimin për kërkesën presidentit Joe Biden më 6 dhjetor për buxhetin prej 105 miliardë dollarësh që përfshin edhe ndihmat për Izraelin dhe Ukrainën.

Biden kërkoi buxhet prej 105 miliardë dollarësh, përfshirë 14 miliardë dollarë për Izraelin dhe 61 miliardë dollarë për Ukrainën.

Por, republikanët në Kongresin Amerikan të udhëhequr nga ata në Senat, kundërshtojnë miratimin e këtij buxheti pa bërë rregullimet që duan, kryesisht disa ndryshime në politikën e emigracionit.

Shtëpia e Bardhë dhe disa zyrtarë ukrainas paralajmërojnë se pa ndihmën e SHBA-së për Ukrainën mund të humbet lufta me Rusinë.

Të ngjajshme

Të fundit